Ditën e djeshme midis Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe liderit të Partisë Popullore Vuk Jeremiq ka pasur një debat të fortë verbal ndërsa gjendeshin ballë për ballë njëri-tjetrit. Incidenti midis dy kundërshtarëve të ashpër në skenën politike serbe, ka ndodhur në ambientet e presidencës. Jeremiç së bashku me kolegë të tjerë ka mbërritur në ambientet e Presidencës, fill pas deklaratës së kreut të shtetit, se do të merret vetë me të gjithë kundërshtarët e tij. Madje duke i ftuar që t’i dalin përballë. Kësaj ftese nuk kanë nguruar t’i përgjigjen anëtarët dhe lideri i partisë popullore
Mediat serbe kanë publikuar një foto ku shihet Vuçiç i cili ka përveshur mëngët dhe është gati të sulmojë liderin e opozitës. Ata raportojnë se incidenti mes Jeremiç dhe Vuçiç ka nisur pasi ky i fundit deklaroi se partia e padenjë e Jeremiç duhet luftuar.
Para mediave, Jeremiç tha se Vuçiç zbriti poshtë dhe ishte shumë i zemëruar, i shoqëruar nga truprojat e tij, madje i ofendoi dhe i këcënoi. “Presidenti zbriti nga zyra e tij dhe po dridhej i tëri. Ishte një situatë e pakëndshme edhe për forcat e sigurisë. Vuçiç filloi të bërtiste, duke thënë “hajde më rrihni”. Por në ato momente truprojat e tij e neutralizuan. E ftova të dilte jashtë por nuk guxoi.. Na mallkoi, ofendoi dhe na kërcënoi. Më tha se jam hajdut”, është shprehur Jeremiç.
Ndërkaq ditën e sotme Presidenti ka reagur duke deklaruar se nuk ka pasur përplasje fizike midis tij dhe Jeremic por vetëm kanë bërtitur dhe janë fyer. “Ata e kanë akuzuar kryeministren, dhe unë reagova dhe ju thashë ejani tek unë. Të pesë personat më fyen dhe bërtitën, unë isha vetëm. S’mund të kesh energji sa pesë persona. Nuk më kanë rrezikuar fizikisht, çfarë bënë ishte një performancë politike”, tha Vuçiq. “Nëse vijnë prapë, unë sërish do ju dal përballë, atyre u leverdis që të bëjnë paraqitje të tilla, kurse unë i humba 10 minuta të kohës time të vlefshme”, tha ai.
Konflikti mes tyre është ashpërsuar që kur Serbia mbështeti Shqipërinë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. Jeremiç i ka kërkuar Vuçiç të shpjegojë votën pro vendit tonë. Sipas tij Tirana zyrtare do e përdorte votën e saj në Këshillin e Sigurimit për të fituar mbështetjen e vendeve të treta ndaj Kosovës.
/Burimi Nova.rs/