Të dhënat e serverëve të cilat disponohen nga hakerat që kanë sulmuar institucionet shqiptare dhe sistemin TIMS në dogana janë nxjerrë në shitje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, faqja “Homeland Justice”, ofron 800 GB të dhëna për 900 dollarë. Kujtojmë që gjatë muajit korrik hakerat sulmuan administratën dhe ministritë duke bërë publike komunikimet përmes e-maileve.
Ndërkohë që pak ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lidhur me këtë sulm ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Sipas hetimeve të agjencive shqiptare dhe atyre partnere, ka rezultuar se hakerat mbështeteshin drejtpërdrejtë me Iranin.
Menjëherë pas kësaj, hakerat kanë nisur hakëmarrjen.
Nga ora 23:15 e së premtes në mbrëmje dhe përgjatë gjithë ditës së shtunë, sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë ishte jashtë funksionit.
Edhe pse qeveria shqiptare tha se gjithçka mbetet nën kontroll dhe se çdo sulm është zmbrapsur, hakerat tashmë kanë nxjerrë në shitje të dhënat që janë marrë nga sistemi TIMS në Shqipëri por, edhe në adresat elektronike të zyrtarëve shqiptarë.
Kjo do të thotë se “sekretet” e Shqipërisë tashmë mund të blihen në treg. Një tjetër fakt është se hakerat kërkojnë që pagesa për blerjen e të dhënave të bëhet përmes parasë elektronike Bitcoin. Në këtë mënyrë do të jetë e pamundur të kuptohet se ku po shkojnë këto para.