Deputetët e opozitës britanike kanë kërkuar një hetim pas raportimit të një gazete se agjentë të Kremlinit kishin hakeruar telefonin celular të ish-kryeministres Liz Truss kur ajo ishte ministre e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Mediat britanike raportojnë se telefoni ishte vendosur në një kasafortë të mbyllur tashmë me çelës në një vend të sigurt të qeverisë britanike, pasi ishin hakeruar mesazhet e një viti, të cilët trajtonin çështje të rëndësishme si lufta në Ukrainë.
Sipas burimeve, hakerat kanë siguruar akses në shkëmbimet e mesazheve ‘top-secret’ mes Truss dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Deputetja laburiste Yvette Cooper e angazhuar për çështjet e sigurisë së brendshme ka deklaruar se lajmi i publikuar në media ngre shqetësime mbi sigurinë kombëtare, në vartësi të mënyrës se si informacionet në posedim të Truss kanë përfunduar në duart e rusëve.
Artikulli nuk sqaron bazat mbi të cilat dyshohet se prapa sulmit është Rusia, por gazeta citon një burim pranë shërbimeve të sigurisë që thotë: Duhet pak kohë për të zbuluar se kush fshihet pas sulmeve të tilla, por Rusia është në majë të listës së të dyshuarve.