Anëtarët e organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” janë shpallur përfundimisht të pafajshëm me një vendim të djeshëm të Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit ka vendosur mospranim te rekursin e prokurorisë për të pandehurit, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, që i shpalli të pafajshëm më 13 shkurt të vitit 2017.
Gjykata ka dhënë pafajësi për Orik Shytin, Leart Shytin, Altin Arapin, Dritan Hatën, Gent Cakën, Nikolin e Pasho Novruzajn, Gëzim Gjonin, Roland Shytin dhe Kreshnik Spahiun.
Procesi ndaj bandës “Hakmarrja për Drejtësi” ka zgjatur afro tre dekada dhe për shkak të kërkesave të shumta për gjykime e rigjykime një numër i madh gjykatësish janë përfshirë në proces.
Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por Prokuroria e aso kohe pretendoi se ishte krijuar në 1992 në qytetin e Durrësit. Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye për gjykim me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti.
Të dënuarit e “Hakmarrjes për Drejtësi” i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe tërë akuzat, përfshi vrasje, vjedhje bankash deri edhe rrëmbime. Krimet më të rënda për të cilat akuzohen pjesëtarët e kësaj bande janë vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vrasja e 4 civilëve nga vendosja e bombës në ish-supermarketin e kompanisë “VEFA” si edhe ekzekutimi në qendër të Tiranës të shoferit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.