Prej disa ditësh, deputetja e Parlamentit Shqiptar Ina Zhupa ka filluar një betejë me mullinjtë e erës në Sarandë.
Themi me mullinjtë e erës sepse deputetja as mish as peshk, e cila nuk e kishte të qartë para një viti se nga duhet të shkonte pretendon se Saranda po sulmohet nga bandat.
Por mos u gënjeni nga deklaratat e deputetes që jeton në kullën në mes të Tiranës sepse akuzat e saj s’janë gjë tjetër vec borxhe të vjetra që vijnë nga bizneset e burrit të saj oligark. Zhupa nuk shqetësohet për banorët e Sarandës, por për financat e veta. Nuk e besoni?
Për të kuptuar të gjithë sikletin e pseudo-opozitares mjafton të shihni ku shkojnë paratë publike të Bashkisë Sarandë sepse paraja vetëm flet një gjuhë, e cila nuk është e vështirë për tu kuptuar.
Nga kërkimet tona rezulton se bashkëjetuesi ose burri i deputetes Ina Zhupa, Fabian Goçi ka fituar tendera me vlerë 320 milionë lekë nga ish-kryetari Adrian Gurma për sigurimin e naftës për bashkinë Sarandë.
Tenderat tregojnë se deputetja nuk ka hallin e sarandiotëve, por hallin e naftës që gjasme shkarkohet në makinat e bashkisë, e cila paguhet me lekët e qytetarëve. Por sa tendera ka fituar Fabian Goçi dhe si i ka fituar?
Biznesi është mënyra më e drejtë për të përfituar para në mënyrë të ndershme, por kur fijet e marrëveshjeve lidhen me zyrtarët e lartë atëhere kemi garë të padrejtë dhe abuzim me taksat e qytetarëve.
Konkretisht biznesi i deputetes me ish-kryebashkiakun e majtë ka filluar në vitin 2020 kur nëpërmjet kompanive “A&T sha – 2A2F-L OIL”, bashkëjetuesi i deputetes Fabian Goçi ka marrë pjesë në tenderin e hapur në prill të 2020.
Në garë ka marrë pjesë dhe kompania “BOKOLLO-OIL” shpk, e cila nuk ka bërë ofertë sepse nuk plotësonte kushtet. Pra, kemi një kompani që futet në tender, por nuk futet dot në finale të garës duke sjellë dyshime për garë me fitues të përcaktuar.
Automatikisht shpallen fituese kompanitë e burrit të deputetes Ina Zhupa, i cili siguron naftë në kushtet e pandemisë kur lëvizja ishte e kufizuar dhe konsumi i naftës ra.
Figura 1. Tenderi i fituar nga kompanitë ““A&T sha – 2A2F-L OIL” në pronësi të burrit të deputetes Ina Zhupa, Fabian Goçi me vlerë 13 milionë lekë.
Megjithatë në këtë rast deputetja që sulmon kolegët e saj deputetë për interesat e veta financiare mund të shfajësohet, por a mund të shfajësohet për tenderat që ka marrë burri i saj një muaj para fushatës pa garë nga bashkia Sarandë?
Duke kontrolluar tenderat e bashkisë Sarandë, vetëm në muajin shkurt dhe mars burri i deputetes ka fituar dy tender me vlerë 128 milionë lekë.
Por procedurat e tenderimit na zbuluan se tenderat janë marrë pa garë duke i fituar i vetëm me kompanitë e tij Fabian Goçi.
Figura 2. Tenderi i fituar nga kompanitë ““A&T sha – 2A2F-L OIL” në pronësi të burrit të deputetes Ina Zhupa, Fabian Goçi disa javë para fushatës me vlerë 78 milionë lekë.
Figura 3. . Tenderat e fituar nga kompanitë ““A&T sha – 2A2F-L OIL” në pronësi të burrit të deputetes Ina Zhupa, Fabian Goçi nga bashkia Sarandë nën drejtimin e Adrian Gurma me vlerë 320 milionë lekë.
Në këtë rast disa javë para fushatës, Adrian Gurma i ka dhënë naftën burrit të Ina Zhupës e cila vjen vërdallë me naftë e banorëve të Sarandës, të cilët votuan për një kryebashkiak të majtë që ua jep tenderat një deputete që nuk e di ku bie Saranda.
Por historia e Ina Zhupës që jeton në kullë nuk është një fantazi princeshe, por ngritja e oligarkut më të ri Fabian Goçi. Biznesmeni i ri ka një histori e cila fillon me akuza për mashtrime nga Prokuroria e Tiranës.
Historia e Fabian Goçit lidhet me kompaninë “Fullpet”, skandal që përfundoi me të pandehur burrin e deputetes për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave”.
Burri i deputetes ka disa kompani, mes tyre dhe bar-kafe në autostradën Tiranë-Durrës me emrin “URA Bistrotheque”.
Megjithatë një tjetër kompani ku Fabian Goçi, del pronar është firma “A&T”, që e ka patur emrin “A.K.F PETROLEUM OIL”. Pikërisht kjo kompani në emër të Fabian Goçit, burri i Ina Zhupës, është përfshirë në skandalin e evazionit fiskal me firmën “Fullpet” që ishte në pronësi të Aurel Prenit, shokut të ngushtë të Goçit.
Në dëshminë e tij të dhënë në Prokurorinë e Tiranës, Fabian Goçi ka deklaruar se në 7 korrik 2014, kishte marrë nga shoqëria “Fullpet” një shumë prej 88 milionë lekësh, nëpërmjet një kontrate huaje në 5 korrik 2014, shumë të cilën e kishte kthyer, ndërsa dispononte për këtë dhe një deklaratë nga Aurel Preni, administrator “Fullpet”, të cilin siç tregon Goçi, ai e kishte shok.
Të vetmit që ia dolën pa u lagur nga kjo cështje ishin Androkli Kokthi dhe burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi. Sot oligarku i ri Goçi bën biznese të reja ndërkohë që është përfitues tek kulla në mes të tiranës, skandal i denoncuar në janar 2022 në media./Priza.al
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*