‘Hap kutitë ose largohu’/Topalli iu hoqi rrogat pasi bojkotuan Kuvendin, njihuni me 5 socialistet që fituan gjyqin pas 11 viteve

Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Eglantina Gjermeni, Enkeljeda Shkreli si dhe Ermonela Felaj janë pesë socialistet që kanë fituar gjyqin pas 11 viteve. Në atë kohë, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli iu hoqi rrogat, pasi bojkotuan Kuvendin. Por tashmë ato kanë marrë verdiktin përfundimtar nga ana e gjykatës, duke anuar në të drejtën e tyre.

Gjykata Administrative e Apelit, ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin për kompensimin e pagave të 5 deputeteve. Mësohet se Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi më datë 7 prill, vendimin e datës 28 dhjetor 2018 të dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, në favor të socialisteve. Në këtë vendim përcaktohet paga për periudhën 7 shtator 2009 deri në 31 maj të 2010-ës. Ndërkohë që kundër këtij vendimi lejohet të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 30 ditëve, raporton ‘Balkanweb’.

Pas zgjedhjeve të 2009-ës, Partia Socialiste bojkotoi Parlamentin, duke akuzuar demokratët për vjedhje të votave. Pavarësisht shigjetimeve të hedhura në adresë të kundërshtarëve, PS iu rikthye jetës parlamentare duke mos djegur mandatet. Kujtojmë se deputetët hynë në Kuvend pak ditë para se të përfundonte afati 6 mujor i përcaktuar në rregulloren e Kuvendit, sipas të cilit nëse mungon pa arsye në Kuvend, të digjen mandatet. Në atë kohë, kryeparlamentarja demokrate Jozefina Topalli iu preu rrogat deputetëve socialistë, që kishin dalë në rrugë me thirrjen “hap kutitë ose largohu”. Socialistët iu drejtuan gjykatës duke pretenduar rrogën e plotë edhe gjatë muajve të bojkotit, ndërsa togat e zeza iu dhanë të drejtë.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *