Janë bërë publike datat e aplikimeve për programet e studimit për në universitet përmes portalit e-Albania.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ministrja e Arsimit Evis Kushi bën me dije se studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, sipas parashikimeve të VKM-së.
“Do t’ju ftoja që të keni në vëmendje maksimale edhe programet e studimit që ne i kemi cilësuar si prioritet kombëtar. Siç e dini, këto programe lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesisë, shkencave natyrore, inxhinierisë, bujqësisë dhe fushës së shërbimeve. Studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, sipas parashikimeve të VKM-së Nr. 386 të miratuar në qershor të këtij viti”, shkruan ajo.
Maturantët do të kenë mundësi që të bëjnë zgjedhjet e tyre për në universitet nga 29 korrik deri më 3 gusht.