Ka nisur procesi i numërimit, tre orë pasi u mbyll votimi me një pjesëmarrje prej 48.59%. Në Poliçan ka nisur procesi i numërimit, po ashtu edhe në Bashkinë Memaliaj janë hapur 3 kutitë e para.
Gjithashtu, ky proces ka nisur edhe në Devoll e Pustec ku kanë mbërritur të gjitha kutitë. Sipas të dhënave të para në Pustec kanë votuar 1606 qytetarë nga 4366 në listë. Nga kutia e parë e hapur në Kallamas rezulton që PS ka marrë 118 vota, PD 114 dhe “Bashkë Fitojmë” 17.
Ndërkohë, në Kuçovë dhe në Dimal pritet që numërimi të nisë rreth orës 23:00. Në KZAZ 11, Kukës, kanë mbërritur të gjitha kutitë e votimit dhe po punohet me futjen brenda në qendrën e numërimit. Sipas përfaqësuesit të kësaj KZAZ-je nëse puna vijoj me ritme normal numërimi mundet të nisë pas dy orësh.
Pritet të nisë numërimi i votave në Tropojë në 23:00 dhe në Has ka nisur tashmë. Në qarkun e Beratit vetëm në Kuçovë ka përfunduar dorëzimi i materialeve zgjedhore. Sapo të sistemohen kutitë do të nisë edhe numërimi i fletëve të votimit.
Në Skrapar ka ende kuti pa mbërritur për shkak largësisë së fshatrave nga qendra. Poliçani, Berati dhe Dimali janë drejt përfundimit të dorëzimit, me 4-5 kuti ende pa u administruar.