Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka hapur këtë të mërkurë garën për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Veliaj tha se ndërtimi i teatrit do të zgjasë deri në tre vite ndërsa gara do të zgjasë për 60 ditë.
Sakaq theksoi se teatri do të ndërtohet në të njëjtin vend ku ka qenë i vjetri, por këtë herë do të jetë 3 herë më i madh.
“Deklaroj të hapur sot garën për Teatrin e ri Kombëtar, aty ku ishte, por 3 herë më i madh seç ishte dhe më komod. Kush është serioz dhe s’do ta përdorë historinë për të bërë histeri, duhet ta shohë të vërtetën ashtu siç është. Detyra jonë është të bëjmë një teatër ku të vijnë socialistë e demokratë, të moshuar e të rinj, tironsave dhe jabanxhinjve. Nëse disave i pëlqen, s’ka problem. S’jemi konkurs për mis bukurie. Do të zgjasë gara për 60 ditë derisa të shpallim fituesin. Do marrë territorin e vet.Kush është serioz dhe kush nuk do ta përdorë historinë për të bërë histeri, duhet ta shohë të vërtetën ashtu siç është. Detyra jonë nuk është që të na pëlqejnë të gjithë. Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve. Detyra jonë është bëjmë një teatër, ku do vijnë si të majtët, si të djathtët, si të moshuar, si fëmijë, si tironsat ‘den baba den’, si ‘jabanxhinjtë’ që kanë ardhur qoftë edhe për të parë teatër. Kjo është detyra jonë”, tha ai.