Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë në Laç, ku ka hapur dyert e spitalit të ri të rindërtuar pas tërmetit.
Gjatë fjalës së tij Rama ka premtuar se do të rriten sërish rrogat e mjekëve dhe infermierëve ndërsa shtoi që së shpejti pritet të kenë lajme të mira edhe për mësuesit dhe mësueset.
“Rrogat do vazhdojmë t’i rrisim përsëri për mjekët dhe infermierët, për mësuesit dhe mësueset. Ne sot në sistemin spitalor kemi shpërndarje e prani më të plotë e të racionalizuar sesa kishim vite më parë kur trashëguam një gropë të madhe e të pashpjegueshme të mungesës së specialistëve prej mbylljes së specializimeve. Një vendim i marrë nga qeveritë e mëparshme që nuk ia gjejmë dot shpjegimin.
Sot jemi në kushtet e harmonizimit të mjekëve të vjetër dhe atyre të rinjve që duke i ofruar kushte të tilla dhe duke i vënë në dispozicion aparatura, iu ushqejmë dëshirën që të vijojnë të punojnë në shërbim të njerëzve. Ndaj dua ta nis duke ju uruar mjekëve më me përvojë që këto vite të mbetura të shërbimit ti kalojnë sa më mirë, po ashtu dhe mjekëve të rinj e t’ia dalin t’i ofrojnë këtyre komuniteteve një shërbim cilësor. Për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë”, tha Rama.