Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel është vlerësuar me çmimin prestigjoz të OKB-së për refugjatët. 68-vjeçarja është vlerësuar për vendosmërinë që ka treguar për të mbrojtur azilkëruesit gjatë përiudhës që ajo ishte në detyrë.
Gjatë mandatit të Merkelit, Gjermania mirëpriti më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues në kulmin e krizës së emigrantëve 2015-16. Në atë kohë, Merkel tha se fluksi ishte “një provë për vlerat evropiane si rrallë herë më parë”, duke treguar humanitet.
Duke komentuar çmimin, shefi i UNHCR-së Filippo Grandi vlerësoi vendosmërinë e ish-kancelares Merkel për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe parimet humanitare.
“Duke ndihmuar më shumë se një milion refugjatë për të mbijetuar dhe rindërtuar jetën e tyre, Angela Merkel ka treguar guxim të madh moral dhe politik. Ishte një udhëheqje e vërtetë që bëri thirrje për dhembshurinë e të gjithëve ne, duke qëndruar e palëkundur kundër atyre që predikonin frikën dhe diskriminimin. Ajo tregoi se çfarë mund të arrihet kur politikanët ndjekin rrugën e duhur dhe punojnë për të gjetur zgjidhje për sfidat në vend që thjesht të zhvendosin përgjegjësinë tek të tjerët”- tha Grandi.
Vendimi i Merkelit për të lejuar kaq shumë emigrantë nxiti partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë dhe rezultoi në protesta nga një pakicë e zëshme. Ajo u kritikua gjithashtu nga disa qeveri se ishte shumë miqësore me refugjatët kur disa shtete partnere të Bashkimit Evropian po mbyllnin kufijtë për refugjatët dhe azilkërkuesit.
Çmimi Nansen, i dhënë çdo vit, u krijua në vitin 1954 për nder të Komisionerit të parë të Lartë të OKB-së për Refugjatët, eksploruesit norvegjez arktik dhe humanitar Fridtjof Nansen (1861-1930), për të shpërblyer arritjet e jashtëzakonshme në humanitarizëm.
Merkel do të marrë çmimin e saj, i cili vjen me një vlerë prej 151,000 eurosh gjatë një ceremonie në Gjenevë, Zvicër më 10 tetor.