Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i kërkoi sot kryeministrit Albin Kurti që të lirojë detyrën, pasi sipas tij, nuk ka përfituar askush prej tij. Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, Haradinaj i quajti gënjeshtra sukseset ekonomike të paraqitura nga kryeministri Kurti.
“Mos harroni se asnjë vend nuk i nënshtrohet një njeri, e kam dëgjuar prej teje këtë kryeministër. Dikur i ke thënë Hashim Thaçit në këtë foltore shko Hashim, ta deshi puna dhe shkoi Hashimi. Çka është më mirë në këtë Kosovën tënde të lutem. Prej kur ke ardhur ti nuk po shoh se dikush ka pa hajër prej teje. Nuk e di që një profesionist i një sektori që të ka pa hajrin. Prandaj edhe unë po të them shko Albin se nuk po nxjerrë asgjë në dritë në Kosovë, veç nuk mundem të të thënë “shko ku janë ata”. Por, shko ku të duash ti, veç shko”, tha ai.
Ai kritikoi ekzekutivin edhe për mungesën e investimeve kapitale dhe punësimet familjare.