Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas përfundimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet hyrëse-dalëse. Ai tha se marrëveshjet një nga një janë strategji serbe për ta vonuar zhvillimin e Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj tha se marrëveshja është arritur që nga viti 2011, dhe se interesi i Kosovës është marrëveshja përfundimtare.
“Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen. Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën”, tha Haradinaj.
“Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit”, shtoi ai.
Më tej, ai shtoi se është koha e duhur që dialogu të kalojë në nivel tjetër, dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës.
“Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”.
Çfarë marrëveshje u arrit?
Në fakt, nuk është arritur një marrëveshje e re, thjesht ka zotim se tash e tutje do të respektohet marrëveshja e vitit 2011 për Lëvizje të Lirë e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëvizin nga njëri shtet në tjetrin vetëm më karta identiteti.
Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje.
Kosova nuk e bënte të njëjtën. Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.
Por, ka shumë mundësi që nuk bëhej edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.
Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën.
Marrëveshja tash është që Serbia do të heq dorë nga ajo letër dhe Kosova s’do të ketë nevojë ta impelemntojë fare.
Po me targat?
Me targat nuk është arritur ndonjë marrëveshje akoma. Atyre do të vazhdohet t’u vendosen ngjitës në vendet ku janë emblemat e shtetit dhe shkronjat dalluese të republikave.
Përse në Kosovë po festohet nga qeveria si fitore?
Sepse po nënkuptohet si detyrim i Serbisë për të hequr dorë nga ajo letra e bardhë që e kishte implementuar një anshëm