Nënpresidentja Kamala Harris mbajti të martën tubimin e parë zgjedhor në Miluoki, në Viskonsin, njërin nga shtetet me peshë për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Ajo kritikoi kandidatin republikan, ish presidentin Donald Trump, duke thënë se votimi i 5 nëntorit është një “zgjedhje mes lirisë ose kaosit”.
“A duam të jetojmë në vendin e lirisë, dhembshurisë dhe shtetit të së drejtës apo në vendin e kaosit, frikës dhe urrejtjes”, pyeti ajo.
Zonja Harris mbajti tubimin pasi arriti të sigurojë përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokrate për presidente.
Takimi ishte i pari që prej së dielës, kur ajo nisi fushatën për garën e nëntorit, pasi Presidenti Biden i dha mbështetjen e tij. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Nënpresidentja Kamala Harris ka grumbulluar më shumë se 100 milionë dollarë që prej pasdites së të dielës.
Drejtuesit e lartë të Partisë Demokrate në Kongres mbështesin Kamala Harrisin
Dy drejtuesit më të lartë të Partisë Demokrate në Kongres dhanë mbështetjen e tyre që Nënpresidentja Kamala Harris të emërohet kandidate për presidente.
Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries i dhanë fund pikëpyetjeve nëse do t’i bashkoheshin demokratëve që po mbështesin zonjën Harris që të sigurojë emërimin e partisë për zgjedhjet e 5 nëntorit.