Deputetët e PD-së kanë kërkuar një seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit.
Opozita me përfaqësues Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Greta Bardeli, Fatmir Mediu, pohojnë se kanë qenë në ndjekje të vendimit nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e “Hartës së Re Gjyqësore”.
Këta të fundit shprehen se kanë marrë mesazhe të shumta nga qytetarë në lidhje me shqetësimin që kanë ndaj këtyre të fundit. Sipas deputetëve të opozitës, riorganizimi gjyqësor lidhet me një të drejtë themelore që ka të bëjë me aksesin në drejtësi, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.