Hartë e re territoriale/ Konflikti bullgaro-maqedonas transferohet edhe në Shqipëri

Konflikti bullgaro-maqedonas transferohet edhe në Shqipëri.

Beteja bëhet për përkatësinë etnike të minoritetit që jeton në Gollobordë. Si maqedonasit ashtu edhe bullgarët kërkojnë krijimin e një Bashkie të re në Qarkun Dibër atë të Gollobordës duke pretenduar përkatësinë etnike të banorëve të zonës.

“Presim që minoritetit maqedonas t’i shtohen edhe dy Bashki të tjera përveç Bashkisë Pustec që duam ti ndryshohet emri në Bashki e Prespës, kërkojmë Bashkinë e Gorës në qarkun Kukës dhe Bashkia e Gollobordë në Qarkun Dibër. Pasi reforma e 2014 në këto zona ka dështuar pasi komuniteti maqedonas nuk pati asnjë përfaqësi”, tha Vasil Sterjovski, kryetar i shoqatës “Sonse”.

Një pretendim të ngjashëm kanë edhe përfaqësuesit e pakicës bullgare. Top Channel disponon kërkesën që shoqata “Golloborda” i ka dërguar Komisionit për Reformën Territoriale.

“Identiteti i komunitetit i kulturës dhe traditës i zonës së Gollobordës, është i papërshtatshëm me zonat e tjera të bashkisë Bulqizë dhe Librazhd. Në këtë kuptim, kërkojmë që krahina e Gollobordës, me tri njësite administrative te saj, Njësia Ostren, Stebleve, Trebisht të krijohet një bashki më vete me emërtimin Bashkia Gollobordë”, tha kryetari i shoqatës “Golloborda”, Razi Rama.

Por, një kërkesë e tillë duket se provokon përfaqësuesit e minoritetit maqedonas në vendin tonë që flasin për një skenar të errët bullgar.

“Në 2017 , kuvendinën presionin e bullgarisë që e kërcënoi me veto procesin e anëtaresimit të Shqipërisë në BE, njohu jashtë kritereve një pakicë jo ekzistuese bullgare. Presioni i Bullgarisë për asimilimin e komunitetit maqedonas është i madh sidomos tani që kemi afër censusin në tetor”, u shpreh Vasil Sterjovski, kryetarë i shoqatës “Sonse”.

Krahas pretendimeve etnike në veri-lindje një situatë e ngjashme është edhe në jug të vendit. OMONIA kërkon që Bashkia e Himarës të ndryshojë duke lënë jashtë të gjithë krahinën e Labërisë. Për të lënë në përbërje të saj vetëm zonat minoritare greke.

“Për mendimin tim Bashkia Himarë duhet të fillojë nga kufiri me Sarandën, në qafën e Gjashtes deri në Llogora. Nga fshati Nevisht deri në fshatin Palasë që janë fshatra bregdetar, kanë të njëjtën preskriptive dhe të njëjta tradita dhe është më e lehtë për tu menaxhuar. Në ndarjen e re nuk besoj se duhet të jenë ish komuna Hor Vranisht, janë fshatra e lumit të Vlorës që do ishte më funksionale dhe për ata që t’i bashkoheshin bashkisë Selenicë“, tha Fredi Beleri kreu i shoqatës “Omonia”, Himarë.

Por, synimet e OMONIA-s nuk prekin vetëm Himarën.

“Omonia ka dhe kërkesa të tjera sa i përket bashkisë Finiq, i është shkëput fshati Qukë që është i vetmi fshat minoritar që ka dalje në det dhe i është bashkangjitur Sarandës, tek reforma e re do ishte ideale që ky fshat ti bashkohej bashkisë Finiq”, shtoi më tej ai.

Ndarja administrative territoriale e vitit 2014 krijoi katër Bashki minoritare: Himarë, Finiq, Dropull dhe Pustec. Por, si kërkesat e grekëve ashtu ato të maqedonasve apo dhe bullgarëve nxjerrin në pah pretendimet për një konfigurim të ri minoritar të vendit./tch

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *