Heqja e aboneve për transportin publik në Tiranë, ka sjellë reagime të shumta në opinionin publik. Për këtë arsye, sot në orën 18:00 është paralajmëruar një protestë për refuzimin e biletës pranë Bashkisë së Tiranës. Pritet që qytetarët të kërkojnë rikthimin e aboneve.
Në një deklaratë të bërë për mediat më herët, Bashkia Tiranë sqaron se mungesa e aboneve do të jetë për një periudhë tre mujore, ndërkohë që abonetë për çdo linjë të transportit urban janë në shitje, si normalisht.
Në njoftim thuhet se ky vendim është marrë me qëllim që të bëhen verifikimet e duhura për të siguruar më pas riorganizimin dhe ristrukturimin e shërbimit të transportit.
Njoftimi i plotë i Bashkisë Tiranë:
Për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, si dhe nga monitorimet e inspektorëve në terren, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një periudhë tre mujore për kryerjen e verifikimeve dhe matjeve për riorganizimin dhe ristrukturimin e shërbimit të transportit. Gjatë kësaj periudhe, Bashkia e Tiranës do t’iu kërkojë operatorëve të transportit publik qytetës rikthimin në kushte të plota të ofrimit të shërbimit, sipas kushteve të kontratës, duke respektuar kushtet teknike para pandemisë dhe duke ofruar shërbim të plotë me 100% të kapacitetit të mjeteve në operim.
Për këtë arsye, aboneja e përgjithshme e transportit publik do të hiqet nga qarkullimi vetëm për një periudhë të përkohshme 3 mujore (Qershor, Korrik, Gusht), me qëllim përshtatjen e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit, si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave, frekuencat, kushtet e shërbimit, gjatë periudhës së kryerjes së plotë të shërbimit.
Kjo periudhë do të shërbejë për studimin dhe analizimin e situatës, me qëllim ristrukturimin e linjave në itinerare, frekuenca, kushte shërbimi, si dhe rishpërndarjen e volumeve të udhëtarëve.