Një gjest prekës ka ardhur nga futbollistët e kombëtares shqiptare përpara fillimit të ndeshjes kundër Anglisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Kuqezinjtë kanë mbajtur të veshur fanella të Arjan Salës, heroit që ra në krye të detyrës. 32-vjeçari humbi jetën mes flakëve, teksa në fanellat e lojtarëve të kombëtares kuqezi shkruhej: “Heroi heshtur mes nesh”.
32-vjeçari ishte me detyrë përgjegjës i punonjësve të shërbimit të sigurisë të një kompanie private. Të mërkurën rreth orës 15:40, është njoftuar nga kolegët e tij se kishte rënë zjarr në magazinën ku punonte.
Sipas dëshmive, ai menjëherë ka marrë një bombol që shërben për fikjen e zjarrit dhe ka hyrë në magazinë duke nxjerrë çdo punëtor. Në momentet e fundit, teksa përpiqej të shuante flakët, 32-vjeçari nuk ka mundur të dalë në kohë, duke humbur kështu edhe jetën.