Përpos shumë ngjarjeve që duhen harruar si krime e aksidente, viti 2021 nxori në pah edhe anën njerëzore të shqiptarëve.
Mësuam që heronjtë e vërtetë nuk janë vetëm në filma, por edhe mes nesh në jetën tonë të përditshme.
Janë aty për të ndihmuar të njohur e të panjohur, gati deri në vetësakrifikim. Dhe ky vit tregoi 2 raste që do qëndrojnë gjatë në kujtesën tonë.
Shkëlzen Tafa, polici 29-vjeçar, kishte dalë si çdo ditë e zakonshme e tij. Por, për fat të mirë u gjend në vendin e duhur në kohën e duhur.
Sapo pa një sherr në mes të rrugës në zonën e Astirit, nuk ngurroi të ndërhynte menjëherë edhe pse nuk ndodhej në shërbim.
Një personi po i rrezikohej jeta, teksa Taulant Mekollari, i njohur si njeri problematik, tentonte ta shtypte me makinë.
Efektivi i ri, si profesionist i vërtetë ndërhyri duke neutralizuar ngjarjen dhe duke shtrirë përtokë autorin.
Po ashtu nuk mund të harrohet rasti i Arjan Salës, i cili mbeti mes flakëve për të shpëtuar kolegët tek një qendër tregtare në Tiranë.
33-vjeçari, prej 5 vitesh punonte në këtë qendër tregtare si punonjës i sigurisë. Nga kolegët, ai njihej si një person tepër korrekt dhe i sjellshëm.
Miqtë e tij tregonin se Arjani u shkonte gjithmonë në ndihmë. I zëvendësonte në punë edhe kur ata mungonin për arsye shëndetësore.
Mirësinë ndaj të tjerëve, ai e tregoi edhe me aktin e fundit, kur u vetësakrifikua në flakë për të shpëtuar kolegët. Arjan Sala la pas gruan, fëmijën 2 vjeç dhe prindërit.
/Priza.al/