Hetimet belge/ Si ia theu Safet Bajri legenin, vajzës që prostituonte

Bajrat në Belgjikë nuk ushtronin terror vetëm mbi pronarët e lokaleve, por kishin krijuar edhe një rrjet të gjerë të shfrytëzimit të prostituimit.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Brukselit, e cila disponohet e plotë nga emisioni “Në Shënjestër” në News 24, banda drejtohej nga Safet Bajri dhe vëllai i tij Sead Selhani me mbiemrin e ndryshuar Rustemi, dhe kishte 10 anëtarë.

Në këtë dosje, e cila iu vu në dispozicion Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, tregohet me detaje shfrytëzimi i 7 femrave nëpër rrugët e Brukselit, 6 prej të cilave shqiptare dhe një shtetase rumune.

Sipas dosjes në fundin e vitit 2009, vëllezërit Bajri, ose siç njihen ndryshe Rustemi, kërkuan azil politik në Belgjikë. Menjëherë pasi depozituan kërkesën ata nisën aktivitetin e tyre kriminal.

Më 22 shkurt të vitit 2010, pra rreth dy muaj më pas, policia konstaton në rrugë një femër e cila prostituonte! Femra në rrugë u identifikua me emrin Sara!

Policia lokale belge ushtroi menjëherë kontroll në regjistrat e popullatës nga ku rezultoi që vajza ishte shënuar si bashkëjetuese e Sead Rrustemit nga data 1 shkurt deri më 25 gusht të vitit 2010, në një banesë në Schaerbeek!

Më datë 22 nëntor të vitit 2011, policia ushtroi një tjetër kontroll, në një tjetër banesë të Sead Rustemit. Aty ku gjeti 4 shtretër dhe 4 dollapë me veshje femrash si dhe pasaportën e një tjetër vajze, me emrin Kristina. Pasaportë që u gjend e fshehur poshtë çatisë së shtëpisë!

Pak ditë më pas, policia ndërmori një tjetër aksion në këtë banesë ku gjeti brenda Seadin me Sarën. Vajzën që më herët ishte identifikuar si prostitutë në rrugët e Brukselit!

Gjatë marrjes në pyetje, më 16 dhjetor 2014, Sara pranoi se punonte prej afro 1 viti e gjysmë, si prostitutë në ‘Avenue Louise’! Të njëjtin zanat e kishte ushtruar edhe në Gembloux, ku më pas ishte bërë drejtuese e një “Bar -Champagne” në rretin e Namur-it. Ajo i tregoi policisë se njeh Sabrinën që gjithashtu punonte si prostitutë në “Avenue Louise”, sikurse Anxhelën dhe Mozën.

Në dosjen e hetimit të Prokurorisë së Brukselit ishin shënuar ndër të tjera edhe disa biseda telefonike që ishin kryer nga vajza që ishin shënuar si ‘bashkëjetuese’ e Seadit!

Gjatë këtyre bisedave del hapur, jo vetëm aktiviteti kriminal i vëllezërve por edhe shfrytëzimi i vajzave nën dhunë dhe terror!

Nga komunikimet telefonike të Sarës, hetuesit zbuluan dhunën që vëllezërit Bajri ushtronin ndaj vajzave:

Bisedat e vajzave

‘Më 9 shtator 2014, Sara i qahet Anxhelës se i duhet të punojë gjithë kohës dhe se ndihet e lodhur.

Më 14 shtator 2014, Sara i shpjegoi Sabrinës se nuk ka ardhur në festën e ditëlindjes së Safet Rustemit sepse e dinte që Saed Selhani do të pinte dhe do ta godiste siç e ka zakon.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Sara pranoi që gjatë një muaji personi në fjalë kishte ushtruar dhunë mbi të. Edhe pse më vonë i modifikoi fjalët duke pretenduar se ishte një zënkë e ndërsjelltë dhe se kjo ka ndodhur në një bar në Spanjë. Përgjatë të njëjtës bisedë ajo u shpreh edhe në lidhje me Sabrinën, aktivitetin si dhe meshkujt e tyre.

‘Të njëjtën ditë Anxhela i kërkon që ta dërgojë “DUSH-i”, (me këtë pseudonim njihet Sead Selhani), në kafe për të evituar që ajo të rrihej prej Safet Rustemit, gjë që tregon se ajo është ende në kontakt të vazhdueshëm më “DUSHIN”, ndryshe nga ato që thotë.

Më 3 tetor 2010, i ka telefonuar dikujt që ka mbetur i paidentifikuar dhe që i ka kërkuar të thotë në rast kontrolli nga policia se ajo dhe “DUSH” janë të dashur.

Përgjatë një komunikimi telefonik, më 14 shtator 2014, Kristina dhe e quajtura Sabrina po bisedonin rreth një ngjarje ku përmendej fakti që Sara ishte rrahur sërish nga “Dush-i”.

Gjatë bisedës u përdor edhe termi  “makro” dhe Kristina shton se duhet bërë një kryq mbi ‘makrot Rrustemi’.’

Nga hetimet e gjata dhe të shumta të policisë belge, mbi aktivitetin e vëllezërve Bajri, në shfrytëzimin e prostituimit në Belgjikë, del se nga data 22 shkurt 2010 deri më 3 tetor 2014, që përkon me ditën e arrestimit të Sead Selhani, ai ka bashkëjetuar me Sarën ose ka pasur kontakte me të, dhe që nuk është aspak e kundërshtueshme që përgjatë kësaj periudhe ajo punonte si prostitutë.

Nga shqyrtimi që ka bërë gjykata është faktuar që i pandehuri Sead Selhani e ka rekrutuar Sarën që në Shqipëri me qëllim që ta dërgonte atë drejt prostitucionit. Ku e ka angazhuar me qëllime prostitucioni dhe ka përfituar nga prostitucioni i asaj, atë që ai e quante mikeshë.

Ndërkohë në lidhje me të pandehurin Safet Rustemi nga dosja mësohet se që përgjatë periudhës 30 gusht 2013-3 tetor 2014 ai ka strehuar të quajturën Anxhela për qëllime shfrytëzimi në prostitucion si dhe ka përfituar nga prostitucioni i saj duke përdorur dhunën, kërcënimet dhe detyrimin.

Anxhela rezulton se është kontrolluar për herë të parë si prostitutë në datën 30 gusht 2013 në Avenue Luuise në Bruksel. Në atë kohë ajo banonte së bashku me të pandehurin Safet Rustemin, i cili e strehonte atë!

Policia

I pandehuri Safet Rustemi është kontrolluar në datën 4 nëntor 2013 në orën 01:44 kur po qarkullonte me shpejtësi tepër të ulët në ‘Avenue Luise’, e njëjta rrugë ku  Anxhela punonte si prostitutë.

E pyetur në datën 3 tetor 2014, ditën e arrestimit të Safet Rustemit, ajo ka deklaruar se banon në një ndërtesë me dy prostituta të tjera, të cilat sipas elementëve të dosjes kanë lidhje me klanin RUSTEMI.

Pyetjes së inspektorit të policisë nëse ajo ka shkuar për t’u mjekuar në spital gjatë muajit të kaluar, ajo i përgjigjet pozitivisht dhe shton: “U rrëzova nga shkallët pasi më ngeci taka dhe rashë, kjo është e gjitha”.

Por dhuna e Safet Bajrit ndaj vajzave që prostituonin, siç do të dilte edhe më vonë nga hetimet, do të ishte e pashoqe. Këtë fakt e dëshmon edhe dhuna rrëqethëse ndaj njërës prej tyre, së cilës i kishte thyer legenin.

/Burimi: BW/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *