Ish-prokurori Eugen Beçi ka kritikuar hetimet e zhvilluara për dhunimin e 22-vjeçares nga Kenia, e cila u gjet në gjendje të rëndë poshtë pallatit ku qëndronte.
I ftuar në emisionin “Në shënjestër”, Beçi tha se nuk është vepruar si duhet me mbledhjen e provave në vendngjarje, pasi sipas tij s’kanë marrë telefonat, kamerat e zonës ku u gjet e reja dhe nuk është bërë përcaktimi i njerëzve në dijeni të ngjarjes.
Beçi shtoi se të gjitha këto tregojnë se gjatë hetimeve ka pasur neglizhencë që mund të sjellë mos zbardhjen kurrë të kësaj ngjarje.
Beçi: Për të bërë një tablo të qartë të ngjarjes dhe se si funksionon hetimi sipas procedurës penale. Kur ndodhemi përballë nja ngjarje ku një shtetas është gjetur i dëmtuar në një ambient publik kemi të bëjmë me një vendngjarje ku shkojnë forcat policore dhe mbledhin provat sipas procedurave.
Sipas procedurave një grup hetimor që shkon në vendngjarje detyrohet të japë ndihmën e parë personit të dëmtuar, pastaj fillojmë me marrjen e provave, kemi ato materiale dhe ato me dëshmitarë e shkencore. Në hapësirën e pushimit të pallatit u gjet shtetasja që kishte 30 orë aty, për të realizuar mënyrën e të provuarit të faktit se çfarë ka ndodhur të gjitha provat duhen mbledhur nga grupi hetimor. Duhet të përcaktohen personat që kanë dijeni për ngjarjen, në pallat, në hostel, etj, jo pas dy muajsh. Metoda e hetimit fillon nga vrasja, në rast se hetimi rezulton se vepra është kryer nga pakujdesia shkojmë në veprime të tjera.
Këtu është tentativë për të fshehur diçka, në çdo vendngjarje nuk janë provat standarde. Kemi mungesën e marrjes së telefonave dhe duhen marrë të dhënat e tyre, duhet të kemi kamerat e sigurisë sepse për 60 ditë prishen serverat më të mirë. Nuk kemi përcaktimin e njerëzve që kanë dijeni, të gjitha këto çojnë në neglizhencë dhe mos zbardhje kurrë të një ngjarjeje të tillë të rëndë. Kodi duhet të funksionojë për çdo shtetas qoftë edhe i huaj në territorin shqiptar.
Sa i përket përkthimit, kodi thotë që personat që nuk njohin gjuhën shqipe ndihmohen nga një përkthyes i licensuar. Përkthyesi caktohet sipas neneve ku sqarohet se përkthyes nuk mund të jetë një person që ka një rol tjetër. Një person që është marrë pyetje nuk mund të jetë përkthyes. Ai që ka luajtur rolin e përkthyesit dyshohet si autor kryesor. Në një fakt penal, mendimi i parë është te konfliktet që ka ky shtetas. Minimalisht kemi të bëjmë me paaftësi, një shtetas që nuk di gjuhën shqipe nuk mund të ndihmohet nga një shtetas që është dëshmitar i ngjarjes.