Hetimet për vrasjen e Luljeta Prezës në Durrës kanë zbuluar një rast shfrytëzimi prostitucioni.
Burime zyrtare nga policia lokale konfirmuan këtë të Premte se në pranga është vënë 24-vjeçari Eridon Patlli, i cili akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion një 15-vjeçare.
Ka qenë dëshmia e kësaj të fundit që ka çuar në arrestimin e të riut.
E mitura është proceduar për rastin e vrasjes së 32-vjeçares Luljeta Preza, trupi i pajetë i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, rreth orës 10:35 të së martës.
Sipas policisë, 15-vjeçarja, bashkë me dy vajza të tjera, viktimën dhe dy të arrestuarit si autorë të krimit, ishin bashkë kur ndodhi vrasja. Policia e akuzon atë dhe dy të tjerat për moskallëzim krimi.
Pas marrjes në pyetje lidhur me këtë ngjarja, e mitura ka rrëfyer po ashtu se është shfrytëzuar për prostitucion nga 24-vjeçari, tashmë i arrestuar.
“Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të proceduar penalisht për vrasjen e shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, më datë 02.08.2023, rreth orës 10:35, ju bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 02.08.2023, ka kallëzuar shtetasja 15 vjeçe, e proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’, ditën e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Deluzion’, se gjatë kohës që ka bashkëjetuar me shtetasin E. P., ky i fundit e ka shfrytëzuar për prostitucion. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e bluve.
Edhe vrasja e Luljeta Prezës erdhi pas një konflikti mes saj dhe tutorëve të dyshuar, të cilët pretendonin se 32-vjeçarja u detyrohej një shumë prej 20 mijë lekësh të vjetra.