Hetimi ndërkombëtar/ ‘Sude-t’ e mikrofinancave që po pastrojnë paratë e mafies ruse në Shqipëri  

Shqipëria po përflitet për herë e më shumë në raportet ndërkombëtare të agjencive të ndryshme financiare por edhe atyre të inteligjencës, si një shtet që në dekadën e fundit është kthyer ngadalë në një “lavatriçe” të pastrimit të parave të pista.

Edhe pak ditë më parë një tjetër raport ndërkombëtar i botuar në prestigjiozen ekonomike “The Economist”, e rendiste Shqipërinë pas raportit të Bazelit, në listën e vendeve me risk të lartë për pastrimin e parave.

Kjo gjë bëri që të reagonte menjëherë Prokuroria e Përgjithshme, e cila nxori një raport të sajin në lidhje me hetimin që ishte bërë gjatë vitit të kaluar në sektorin e pastrimit të parave.

Por duket se gjërat janë më të thella se kaq, në një kohë që shumë duar po orvaten që t’i mbajnë këto aktivitete larg vëmendjes së mediave dhe opinionit publik. Sektori i ndërtimit dhe ai imobiliar i shit-blerjes së pasurive të patundshme, ishin dy më kryesorët ku po dyshohet se në vitet e fundit në Shqipëri është bërë më shumë pastrim paraje.

Por këto dy sektorë nuk kanë si të veprojnë të vetëm dhe pa bashkëpunimin e disa sektorëve të tjerë që merren më drejtë për drejtë me financat apo mikrofinancat.

Për të mos shkuar larg, një hetim ndërkombëtar i cili kishte përfshirë disa vende të rajonit tonë, ndër të cilat Serbinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, kishte nxjerrë të dhëna të plota mbi aktivitetin e qarkullimit në Ballkan të parave që po gjenerojnë dhe po pastrohen më pas në shtete si Shqipëria.

Investigimi dhe pjesë nga dosjet hetimore në të cilat është përfshirë edhe FBI-ja amerikane, janë publikuar së fundi nga rrjeti investigativ për Ballkanin, “insajderi.com”. 

Si po pastrojnë paratë ruse IFJB-të në rajon

Në vende si Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, hetimi është ndalur në institucione konkrete financimi dhe mikrofinancimi, si banka të nivelit të dytë dhe institucione mikrofinance, ku këto të fundit ishin kthyer në fole të këtij aktiviteti tepër të kamufluar.

Sipas investigimeve, IFJB-të në këto shtete, kanë pasur financime të pastra ose nga fonde të qeverisë ruse ose të mafies ruse, që synojnë rajonin e Ballkanit.

Por ajo që është më e çuditshme, është fakti se në këto vende, qeveritë, ministritë dhe organet e tjera ligjzbatuese kanë vijuar me shpejtësi në zbardhjen e fakteve dhe kanë marrë masa ndaj institucioneve të dyshuara.

Por edhe më shqetësues është fakti se shumë nga këto IFJB kanë hapur filialet e tyre prej vitesh edhe në Shqipëri, duke “lulëzuar” dhe zgjeruar aktivitetin në shumë sektorë, përfshi edhe kredidhënien për investime në ndërtim dhe imobiliare.

Është tronditës fakti që emra institucionesh mikrofinanciare, që operojnë lirshëm në Shqipëri prej vitesh, pavarësisht problemeve të shumta që kanë hapur, si “NOA sh.a.” apo “IuteCredit”, në vendet e mësipërme jo vetëm kanë qenë pjesë e hetimeve, por dhe janë larguar dhe u është mbyllur aktiviteti.

Rrjeti investigativ “Insajderi.com”, ka publikuar me detaje të dhënat që flasin konkretisht mbi zbulimin e provave për pastrimin e parave të financimeve ruse, pikërisht në zyrat dhe filialet e IFJB-ja si “NOA”, “IuteCredit”, apo “Monego” në Kosovë, Maqedoni apo Bosnje.

Por këto kompani kanë ndërkohë edhe një aktivitet mjaftë të madh në Shqipëri, që deri tani ka qenë tepër diskret dhe është mbajtur larg vëmendjes së mediave dhe opinionit.

Madje të tilla institucione herë pas here kanë bërë fushata reklamash dhe sponsorizimesh edhe në mediat shqiptare, si dhe kanë bërë dhurata për gazetarë të caktuar, me qëllim krijimin e një imazhi tepër të mirë të aktivitetit të tyre.

Pse ka lulëzuar aktiviteti i IFJB-ve në Shqipëri

Në Shqipëri çdo gjë ka një çmim dhe shitet e blihet! Kjo gjë duket se ka ndodhur edhe me blerjen e aktivitetit lirshëm të institucioneve mikrofinanciare, në një kohë që është blerë edhe heshtja e institucioneve shtetërore.

Ekspertët e ekonomisë në Shqipëri e kanë të pashpjegueshëm bumin e madh të ndërtimit në vitet e fundit në vend, kryesisht në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora, si dhe copëtimin e shpejtë të bregdetit nga Jugu në Veri, në parcela, ku ose kanë nisur të ndërtohen, ose janë ndërtuar tashmë resorte ose lagje residenciale banimi me vlerë miliona euro investime.

Por i gjithë ky aktivitet që në vendin tonë është bërë me justifikimin e “zhvillimit”, në shtetet e rajonit ka bërë që qeveritë të alarmohen dhe të nisin bashkëpunimin me vendet Perëndimore, që kanë ngritur alarmin e pastrimit të parave sidomos nga mafia ruse.

Kohët e fundit “Priza.al”, është përfshirë në zbardhjen e fakteve dhe në publikimin e skandaleve që institucionet e mikrofinancës kanë krijuar në dëm të konsumatorit shqiptar, duke përfituar edhe nga gjetja e ujdisë me institucionet shtetërore.

Ajo që nisi si një investigim i pastër mbi veprimtarinë e “Fondit Besa” mbi mashtrimet që u bënte klientëve të painformuar me kreditë konsumatore, dhe që nga media pranë këtij fondacioni u konsiderua si “shantazh për të marrë reklama”, tashmë ka kthyer sytë e gjithë lexuesve nga ne dhe ka nxjerrë në pah skandalin me disa prej këtyre institucioneve IFJB-ve.

Ne nuk mund të themi me saktësi pasi ende nuk disponojnë prova të qarta se “Fondi Besa” është një institucion që po pastron paratë e mafies ruse në Shqipëri, por me prova dhe fakte të publikuara nga media ndërkombëtare, po sjellim implikimin e IFJB-ve si “NOA” apo “IuteCredit” në këtë aktivitet të paligjshëm.

Në ditët në vazhdim, “Priza.al” do të sjellë me prova dhe emra, të gjithë veprimtarinë e dyshuar të këtyre institucioneve si brenda ashtu dhe jashtë vendit, të bërë publike nga investigime ndërkombëtare.

Por “Priza.al” përfiton nga rasti të bëjë edhe një herë thirrje për institucionet ligjzbatuese në vend, që të zgjohen dhe të nisin kontrollet dhe hetimet ndaj aktivitetit tashmë me probleme të këtyre institucioneve mikrofinanciare.

Po ashtu, u bëjmë një apel edhe të gjitha ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare në vend, që të ushtrojnë të gjithë “presionin e dobishëm” ndaj institucioneve tona, me qëllim që të shmangen si “gropat” ekonomike të shkaktuara nga këto “Sude të sofistikuara mikrofinanciare”, por edhe “greminat” që mund t’i shkaktohen ekonomisë së brishtë shqiptare prej pastrimit të parave me origjina kriminale.

Vijon…

/Priza.al/     

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *