Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është nën hetim nga SPAK për pasurinë, pas denoncimit të bërë disa vite më parë nga Halit Valteri ku përmenden fatura të operacioneve plastike të saj jashtë shtetit. E ftuar në studion e emisionit Opinion, Kryemadhi ka folur për këtë çështje, dhe ka treguar se rreth 100 persona janë pyetur nga SPAK në kuadër të hetimeve për pasurinë e saj.
Mes personave të pyetur nga Prokuroria e Posaçme, tregoi Kryemadhi, është edhe një kirurg italian që ka operuar fëmijën e saj. Deputetja Kryemadhi tha se është e pashqetësuar për hetimin e SPAK, por denoncoi presionet që sipas saj bëhen ndaj personave që pyetën në lidhje me këtë hetim.
Monika Kryemadhi: Nuk mund të toleroj metodologjinë për kërcënimin dhe intimidimin që ju bëhet dëshmitarëve që thërrasin.
Blendi Fevziu: Kë kanë intimiduar?
Monika Kryemadhi: Vetëm për mua mund të kenë thirrur 100 veta. E dini ju që një doktor i cili ka operuar fëmijën tim, i cili ka që në ’90 që operon në Shqipëri dhe ka qenë vullnetar për fëmijët, është italian, ka qenë kirurg, pediatër etj. Është marrë në aeroport si kriminel. I janë hequr lidhëset, i është hequr rripi, e kanë çuar në komisariat, doktor i nderuar, e kanë marrë dhe e kanë çuar në SPAK për ta pyetur. Doktori ka kartelat mjekësore, sepse më shumë para ka harxhuar SPAK-u për përkthimin e letrave të porosisë se sa kanë kushtuar heqja e një lipome të fëmijës tim. Se kur i hiqet fëmijës një lipomë, nuk është operacion plastik. Dhe kur ke kartelën mjekësore që është hequr një lipomë, nuk mund të marrësh si kriminel një kirurg. Kur ke kartelën mjekësore që ta ka sjellë Italia, ke numrin e telefonit, ke adresën dhe mund të komunikosh.
Blendi Fevziu: Po njerëz të afërt tuaj janë thirrur?
Monika Kryemadhi: Gjithë shoqëria ime është thirrur, edhe të gjithë kanë qëndruar stoikë.
Blendi Fevziu: Po pse flisni për presione?
Monika Kryemadhi: Sepse i kanë kërcënuar, i kanë intimiduar. Si mund të marrësh një doktor italian dhe ta pyesësh a të ka dhënë Monika Kryemadhi lekë cash?