“Hidh një h’app”, 70 gra e vajza përfitojnë shërbim digjital për denoncimin ndaj dhunës

70 gra dhe vajza, përfaqësuese të grupeve të disavantazhuara, të komunitetit rom e
egjiptian, të LGBT dhe me aftësi të kufizuara përfituan akses përmes shërbimeve
teknologjike, smartphone të lidhur me internetin dhe me një aplikacion të posaçëm,
“Hidh një h’app”, krijuar prej më shumë se një viti nga Vodafone Albania, për t’u ardhur
në ndihmë grave e vajzave në Shqipëri që të raportojnë dhunën me bazë gjinore dhe
atë në familje, si dhe të kërkojnë këshillim e mbështetje.
Ky akses u ofrua në aktivitetin “Sigurimi i pajisjeve të nevojshme teknologjike për vajzat
dhe gratë që i përkasin grupeve shoqërore më të rrezikuara, për të aksesuar shërbimet
me fokus dhunën ndaj grave e vajzave”, i organizuar nga Fondacioni Shqiptar për të
Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (ADRF) në bashkëpunim me dy organizata
të tjera partnere, Aleanca LGBTI si dhe Qendra për të Drejtat e Grave Rome,
mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, në partneritet me UN Women dhe
Fondacionin Vodafone Albania.

Drejtoresha Ekzekutive e ADRF-së nënvizoi gjatë fjalës së saj se “përdorimi i
platformave ndërvepruese online, së bashku me përdorimin e aplikacioneve të tjera do
të rrisin mundësitë për gratë e vajzat nga grupe të përjashtuara, viktima të dhunës, që
të aksesojnë më lehtë shërbime të këshillimit psikologjik dhe ligjor.”
Nëpërmjet Fondacionit Vodafone Albania, Vodafone prej mëse një viti ka sjellë në
Shqipëri një aplikacion informativ e virtual këshillimi për çështjet e dhunës në familje
dhe dhunës me bazë gjinore. Drejtuesja e Departamentit Ligjor të Çështjeve të
Brendshme e Marrëdhënieve me Jashtë në Vodafone Albania, Jonida Lakuriqi, në fjalën
e saj përshëndetëse, theksoi: “Ne si Vodafone Albania jemi krenarë për kontributin tonë
në kauzat sociale e një nga kauzat më të dashura që kemi mbështetur gjithmonë është
ajo e grave të margjinalizuara dhe të dhunuara. Besojmë fort se teknologjia është një
mjet i fuqishëm për të ofruar ndihmë, këshilla dhe për të ofruar informacion të dobishëm
apo për të drejtuar ndihmën ndaj atyre që janë në nevojë. Së bashku me këtë aplikacion
unik, enkas për këtë kauzë, ne ofrojmë pajisje smartphone dhe paketa lidhjeje për disa
nga gratë. Duke u dhënë fuqinë e lidhjes në duart e tyre, ne po u japim atyre akses në
një botë informacioni, informacion që mund ta përdorin si armën më të fortë për t’u
ringritur në këmbë dhe për të jetuar jetën ashtu siç e meritojnë, me dinjitet.”
Organizatat pjesëmarrëse janë pjesë e programit rajonal “Fund Dhunës ndaj Grave në
Ballkanin Perëndimor e Turqi – Zbatojmë Standardet, Ndryshojmë Mendësitë“, financuar
nga Komisioni Evropian dhe zbatuar nga UN Women. Ato po punojnë në pesë bashki,
përkatësisht në Tiranë, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Fier, për të rritur ndërgjegjësimin në
radhët e komuniteteve të disavantazhuara për të denoncuar dhunën dhe për të
aksesuar shërbimet.
Bërja publike e kësaj ngjarjeje synon të rrisë vëmendjen e të mobilizojë pushtetin
vendor dhe qendror, bashkë me të gjitha grupet e tjera të interesit, për të ngritur shërbime gjithëpërfshirëse e të orientuara drejt nevojave të grave e vajzave nga grupe
të përjashtuara.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *