Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd Christopher Hill, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i kthehen tryezë së bisedimeve. Kështu, Hill kërkoi që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet të cilat çojnë në dhunë.
Në një deklaratë me shkrim për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, Hill ka shtuar se për këtë duhet urgjentisht të fokusohen liderët e të dyja palëve. Siç ka treguar Hill ka pasur kontakte me presidentin serb, Aleksnadër Vuçiç, ku temë diskutimi ka qenë situata e tensionuar në Veriun e Kosovës.
Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.