Një 49-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Himarë, pasi së bashku me një 43-vjeçar që po procedohet në gjendje të lirë shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis.
Sakaq, Policia ka sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, fara kanabisi, 2 peshore elektronike dhe 2 aparate celulare.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Parts”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në qytetin e Himarës, arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet në gjendje të lirë bashkëpunëtori i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi
-E. K., 49 vjeç, banues në Himarë.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. G., 43 vjeç, banues në Himarë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. G., gjetën një sasi të vogël të kësaj lënde dhe fara të bimës së kanabisit. Lënda dhe farat narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të kanabisit, në qytetin e Himarës, kryesisht në lokalet e natës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme