Me emrin “Klareta Shaba” dhe me foton e kësaj vajze në facebook, 29-vjeçari Eri Mulleti, akuzohet se mashtroi një emigrant shqiptar i cili jeton në Itali dhe që ju zhvatën gati 9 milionë lekë.
Shënjestra e tij ka besuar deri në fund se po fliste me një vajzë, të interesuar për lidhje serioze, deri ditën kur udhëtoi drejt Tiranës për ta takuar, por e reja u zhduk pa asnjë gjurmë.
Hetimi i nisur në Pogradec dhe i deleguar për gjykim në kryeqytet, zbuloi se si shtetasi me inicialet A.A., njohu virtualisht “Klaretën”, të cilën për shkak të kufizimeve të pandemisë e pati të pamundur ta takonte për më tepër se një vit.
Dosja që “Top Channel” disponon, tregon se si Mulleti, një i ri në vështirësi ekonomike dhe i papunë, hapi profil facebook me mbiemrin e gjyshes dhe emrin e një të njohure. Ai tha se fillimisht, e hapi sa për lojë dhe për të parë çfarë ndodhte në boten virtuale, por që shumë shpejt e ktheu në burim të ardhurash.
“Klareta” ju prezantua emigrantit si një pronare butiku në Tiranë, e më pas javë pas jave ata u lidhën virtualisht deri ditën kur “ajo”, i kërkoi ndihmë mbasi “kishte të ëmën sëmurë”.
Në komunikimet telefonike zëri i mashtruesit imitonte zërin e një vajze.
“Kam besuar deri në fund se po flisja me një femër”,- thotë në denoncim emigranti i cili pas kërkesës së parë, u tregua i gatshëm dhe dhuratën e parë me vlerë 400 euro ja nisi në emër të së ëmës.
Më tej, nëna dhe gjyshja e mashtruesit tërhiqnin shumat në llogaritë e tyre respektive, mbasi i riu mashtrues i njoftonte se ia kishte nisur një shok.
Por kur emigranti u kthye në Pogradec dhe u përpoq ta takonte “Klaretën”, ajo bllokoi çdo kanal komunikimi, çka e ka bindur atë se çdo gjë ishte një mashtrim dhe ai duhej të shkonte në polici.
/Burimi: TCH/