Pasi Ministria e Arsimit u mundësoi shkollave 9-vjeçare e gjimnazeve mësim normal, është zgjuar dëshira në universitete që edhe ata, sikundër arsimi parauniversitar, të mund të futen në auditorë, pa kushte.
Në qarqet universitare po diskutohen të gjitha mundësitë e mundshme, për një mësim tërësisht në auditorë me pedagogë e studentë të vaksinuar, siç e kërkon protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë, apo mësim të alternuar, leksione online dhe seminare e punë laboratori me prezencë në fakultete. Me heqjen e mundësisë për mësim online me vendim qeverie, duke e bërë kështu vaksinimin e detyruar për të rinjtë, e vetmja mundësi mbeten auditorët që nuk do të mbushen dot, pasi gjysma e fashës së të rinjve në moshë universiteti nuk figurojnë të kenë marrë asnjë dozë vaksine.
Për të mbushur auditorët, burime të gazetës brenda universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës bëjnë me dije se do të insistojnë për heqjen e kufizimeve.
“Mundësia më e madhe është që të fillojmë mësimin në auditorë në datën 11, por duke ndryshuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, sikurse u bë me arsimin parauniversitar. Ne jemi gati”. Sipas një sondazhi të kryer me nga Bordi Kombëtar i Studentëve me 2262 studentë, 74% e tyre janë shprehur kundër vaksinave të detyrueshme për të ndjekur mësimin fizikisht. Sidoqoftë, më shumë se gjysma e të pyeturve, 54% janë vaksinuar dhe një pjesë e konsiderueshme thonë se nuk kishin ndërmend ta bënin në rast se nuk do t’u vihej si kusht për të hyrë në fakultet.
Me vendimin e fundit të qeverisë, studentëve u është hequr e drejta për të kryer mësim online, duke u ofruar si të vetmen alternativë për t’u futur në klasë, injektimin e vaksinës anti-COVID. “Studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit COVID-19 apo kartën e vaksinimit për të hyrë në institucionet e arsimit të lartë, duke filluar nga data 11.10.2021”, citohet në urdhrin që daton në 27 shtator, ndërkohë që në një të mëparshëm citohej që për studentët, të cilët nuk paraqesin certifikatën e vaksinimit drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar do të merrnin masa për ofrimin e studimit në platforma alternative.
Këtë gjë duket të kishin ndërmend edhe titullarët e universiteteve kur deklaruan njëzëri se nuk kanë ndërmend të privojnë asnjë student nga mësimi. Madje, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, deklaroi qartë se universitetet janë institucione autonome që nuk mund të komandohen nga qeveria, ndërsa ai i Mjekësisë, Arben Gjata, shkoi më tej duke deklaruar gjithashtu se IAL-të nuk mund të ecin me vendime komiteti, por vetëm VKM-je. Me t’u firmosur urdhri nga Manastirliu, Mjekësia vendosi mësim vetëm në auditorë për të vaksinuarit, ndërsa UT kërkon të bëhen lëshime, si me parauniversitarin.
Nis mësimi normal, me orë 45-minutëshe e pushim të gjatë Drejtoria, presion mësuesve: “Mbikëqyrje të rreptë në oborre”
Rikthimi i shkollave në kushte normale, me orë 45-minutëshe dhe me kapacitet të plotë ka pasur kostot e tij, kryesisht mbi drejtorët e shkollave dhe mësuesit. Duke qenë se vendimi u mor dhe u komunikua në orët e vona të së premtes, arsimtarët janë urdhëruar që gjithë fundjavën të punojnë me qëllim për të hartuar grafikun e ri të mësimit, pas hartimit të një skenari që shërbeu për veçse pesë ditë. Në një komunikim përmes “Whatsapp”-it, që drejtoresha e Arsimit në Tiranë ua ka nisur të gjitha shkollave, urdhëron që mësuesit të lënë mënjanë çdo punë për të qenë gati të hënën.
“Nuk e filluam mirë javën e parë”, shkruan, teksa iu kujton se të hënën do të monitorohen nga të gjitha anët. “Duhet bërë orari mësimor gati dhe klasat. Të hënën nuk duhet të krijojmë kaos. Duhen njoftuar mësuesit dhe nxënësit për oraret në shkollat me dy turne. Merreni seriozisht dhe lërini punët e tjera këtë fundjavë. Mësim normal dhe pushim të gjatë, por nën mbikëqyrje të rreptë në oborre. Do jeni në fokus ditën e hënë nga të gjitha anët. Nuk ka pushim për mësuesit apo punonjësit e tjerë. Orari mësimor të shpallet pasnesër në ‘Facebook’-un e shkollës”, urdhëron drejtoresha e Arsimit Tiranë në një mesazh që njëri prej drejtorëve e ka shpërndarë në rrjetet sociale. Një gjë e tillë ka shkaktuar reagimin e deputetit të PD-së, njëherësh kryetar i Komisionit të Edukimit, Agron Gjekmarkaj, i cili e etiketon sjelljen e drejtoreshës së Arsimit të Tiranës, tipike të një patronazhisteje.
“Me gjuhë tipike propagande, me të njëjtat ikona lezeti e kënaqësie politike me autoritet që ta jep sundimi dhe jo ligji, u thotë dilni në punë të shtunë e të diel se nuk e filluam mirë javën e parë të shkollës! Drejtoresha sillet si patronazhiste, u bënë me dije se do të jenë në fokus nga të gjitha anët! Një javë me turne, me orë të kufizuara, pastaj mësim normal se protestojnë prindërit! Se si për një javë u zgjidh siguria një zot e di, por edhe sesi me turne ishte më shumë askush nuk e di!”, shkruan Gjekmarkaj, duke shtuar se mësuesit meritojnë respektin e një shoqërie të tërë dhe jo t’u imponohen urdhra partie.
/Priza.al/