Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka dhënë porositë e fundit kandidatëve për deputet. Ai ka vënë theksin se të gjithë kandidatët duhet të bëjnë fushatë elektorale jo me emra apo numra personal, por për Partinë Demokratike dhe për koalicionin e saj, Aleanca për Ndryshim. Ato renditen në fletën e votimit me numrin 9 dhe ky duhet të jetë pikërisht numri që duhet të vihet theksi në çdo takim me qytetarë.
Ky urdhër është dhënë me qëllim që të mos krijohet konfuzion tek zgjedhësit.
“Posterat duhet t’i publikoni apo printoni siç ju ka ardhur formati zyrtar. Nuk lejohet asnjë ndryshim nga ana juaj. Kush ka bërë ndryshime, duhet t’i hiqni menjëherë (qe sot). Përdorimi i nr tuaj personal nga disa prej jush ka krijuar konfuzion dhe dëmton drejtpërdrejtë numrin e të gjithëve që është një dhe vetëm një, 9-PD-AN.
Prandaj, te nderuar kandidat/e, votuesin do ta ftojmë të gjithë se bashku të votoj nr. 9. Në të gjitha materialet zgjedhore (postera, bluza, byzylyk, virtual e material) duhet të përdoret vetëm numri 9”, thuhet në mesazhin që Basha u ka dërguar kandidatëve.