Kur kanë mbetur edhe 7 ditë nga data e votimeve të 25 prillit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve iu është drejtuar me një kërkesë për marrje masash dy partive më të mëdha në vend.
Sipas KQZ-së, PS-ja dhe PD-ja, të dyja nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.
Kështu, KQZ thekson se, ndalohet në mënyrë taksative afishimi i materialeve propagandistike në: fasadat e godinave të banimit, institucionet publike apo ambientet rrethuese pranë e rreth tyre, brenda zonave rekreative, parqeve, në pemët e qytetit dhe në shtyllat e ndriçimit, gjë të cilën, sipas këtij institucioni, PD nuk e ka zbatuar.
Lidhur me këtë, KQZ i kërkon PD-së të heqë menjëherë të gjitha materialet e vendosura në ambientet e cituara më lartë.
Ndërkohë, KQZ i drejtohet me letër edhe PS-së, ku shprehet se partitë politike duhet të zhvillojnë një fushatë zgjedhore të qetë, duke shmangur politikat e polarizimit dhe retorikat denigruese ndaj kundërshtarëve, e duke treguar vetëpërmbajtje gjatë dhënies së mesazheve politike, edhe nëpërmjet materialeve propagandistike.
“Duke marrë shkas nga fakti i bërë publik i afishimit të dy materialeve propagandistike elektorale, në Bashkinë Gjirokastër, ju kërkojmë të merren masa të menjëhershme për heqjen e tyre”, thuhet në kërkesën e KQZ drejtuar PS-së.
/Priza.al/