Historia e 14-vjeçarit që del në rrugë për të mbajtur veten dhe gjyshen e sëmurë

Nuk ka bërë asnjë ditë shkollë, shkolla e tij e vetme është lypja në rrugë. Nënën nuk e njeh pasi prej saj është braktisur që i vogël, ndërsa i ati është përdorues i lëndëve narkotike. Të vetmen gjë të shtrenjtë në jetën e tij ka gjyshen, e cila nuk ia ktheu kurrë shpinën.

Mikelanxhelo tregon se jeton me gjyshen e tij në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Gjyshja është e moshuar dhe kanë vetëm njëri-tjetrin. Ai duhet të lypë çdo ditë për të siguruar një sasi parash që siç shprehet ai: ”Të blemë bukë dhe kos”.

Historia e tij të rrënqeth tek tregon se e ëma e ka braktisur fare të vogël, pasi i ati përdorues i lëndëve narkotive, ushtronte dhunë ndaj saj. Pasi prindërit divorcohen, për rritjen e tij u kujdes gjyshja, që aktualisht është e pamundur fizikisht për ta bërë ende. Kështu që barra e familjes i ka mbetur Mikelanxhelos. ” Nuk di as të shkruaj as të lexoj, njoh vetëm lekët pasi më ka mësuar gjyshja t’i numëroj”,-shprehet ai. Mikelanxhelo shpreh dëshirën që ka për të shkuar në shkollë, por edhe hallin se nuk ka kush të kujdeset për gjyshen dhe nuk ka rroba për t’u veshur për shkollë. Më pas të gjithë rrëfimin e tij e mbyll me një frikë të madhe që ka: “Kam frikë nëse nëna ndërron jetë unë me kë do të rri?”

Historia e trishtë u referua në disa institucione si një rast urgjent për ndërhyrje. Fillimisht në datë 16 shtator 2022 përmes një telefonate dhe më pas në një takim në zyrat e ALO 116 111 të “Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët” në Shqipëri. Në po të njëjtën datë nga ana e zyrave të “Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët” në Shqipëri u bë dhe referimi i këtij rasti drejt punonjëses për “Mbrojtjen e Fëmijëve në Njësinë Administrative” Nr. 9 në Tiranë. Por edhe pse kishin kaluar më shumë se 10 ditë nga referimi i këtij rasti, 14 vjeçari endej rrugëve gjatë orëve të vona të natës. Zyrat e “Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve” të vetmin argument që dhanë përmes një e-maili ishte se: “Gjatë vizitës nuk kemi gjetur njeri në banesë dhe kemi lënë porosi te anëtarët e komunitetit që ta informojnë gjyshen të paraqitet pranë zyrave tona për ndihmë, duke qenë se zonja nuk disponon numër kontakti dhe gjatë orëve të paradites nuk gjendet në banesë”.

Ndërsa “Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, pas vlerësimit të situatës vendosën që 14-vjeçarin bashkë me gjyshen e tij, ta dërgonin në Korçë atje ku kanë edhe vendbanimin. Ku nga shërbimi social i qytetit u bë e mundur që Mikelanxhelo të fillojë shkollën nga klasa e parë./TCH

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *