Ekonomia qarkulluese ka nisur të zbatohet në vendin tonë që gjatë periudhës së komunizmit, thotë profesor Fatmir Mema. Ky model lindi nga nevoja dhe presioni që ushtroi mbyllja e ekonomisë në ciklin e prodhimit në vend.
Para viteve 1990, shumë mbetje si plastika dhe druri mblidheshin dhe me to prodhoheshin disa mjete të vogla ose lodra për fëmijë. Prodhoheshin produkte, të cilat kishin lëndë të parë mbetjet, duke na dhënë një produkt të ri.
Ky model mori goditje pas vitit 1990, por rinisi të aplikohet nga biznesi në dekadën e fundit. Bizneset e aplikuan këtë model të shtyra nga nevoja për të rritur fitimet. Profesor Mema tha se menaxhimi i integruar i mbetjeve dhe diferencimi i tyre në mënyrë të organizuar vlerësohet se i ka fillesat ligjore në Shqipëri në vitet ‘60, por mendohet se është një proces më i hershëm.
Para viteve 1990, aplikimi i ekonomisë qarkulluese nuk u nxit për mbrojtjen e mjedisit, por vetëm me një zgjidhje të pastër ekonomike që reflekton mangësitë që kishte vendi në produkte dhe në lëndë të parë, si dhe në politikën për uljen e kostove në maksimum.
Para viteve ’90, familjet shqiptare do të stimuloheshin për të bërë ndarjen e mbetjeve në burim, duke diferencuar kryesisht letrën, kartonin dhe qelqin. Ky fakt mbase mund të konsiderohet si një nga elementet e pakta kapitaliste në Shqipëri, pasi këto kategori mbetjesh, familjet shqiptare mund t’i dorëzonin në pika të caktuara, duke u shpërblyer me mjete monetare.
Në këtë kuadër, mbetjet e drurit do të përdoreshin për mobileritë, mbetjet e plastikës për veshmbathje, ndërsa mbetjet e metaleve do t’i nënshtroheshin ripërpunimit, me qëllim përfitimin e produkteve të reja. Mbetjet ushqimore do të përdoreshin për bujqësinë pasi i nënshtroheshin përpunimit për t’u kthyer në pleh.
Shumë industri në botë gjenerojnë sasi të mëdha mbetjesh, të cilat mund të përfshihen në cikle të reja prodhimi. Industria e tekstilit, ndërtimit dhe automjeteve ka potencial të lartë.
Industria e modës dhe tekstilit është një prej industrive më ndotëse në botë. Emetimet e karbonit (CO2) pritet të rriten me më shumë se 60% në gati 2.8 miliardë tonë në vit deri në 2030. Komisioni Europian vlerëson që industria e tekstilit e BE-së gjeneron 16 milionë tonë mbeturina çdo vit, ndaj aplikimi i ekonomisë qarkulluese në këtë sektor shihet emergjencë. Në Shqipëri, një pjesë e mbetjeve të tekstilit dhe të fabrikave përdoren për mbushje të dyshekëve dhe ka një treg të madh që shet rroba të përdorura.
Në Europë, novacioni në këtë drejtim po përparon shpejt. ReBlend, kompani holandeze prodhon pëlhura me 100% riciklim të bëra nga mbetjet e tekstilit pas konsumit që në raste të tjera digjen. Fillimisht mbetjet e tekstileve që nuk vishen, renditen sipas ngjyrës dhe materialit.
Më pas hiqen zinxhirët butonat, mbeturinat e tekstilit copëtohen në fibra të reja dhe nëpërmjet proceseve prodhohet fill i ri për tekstile të reja, të cilat bëhen veshje. Gjithashtu, në Portugali, tapat e shisheve të verës po riciklohen për të prodhuar fije që më pas bëhen stofra.
Në Shqipëri dhe në botë, sektori tjetër i madh për aplikimin e modelit të ekonomisë qarkulluese është ndërtimi. Sektori ndikon në mjedis në konsumin e burimeve jo të rinovueshme dhe gjenerimin e mbetjeve. Disa kompani po aplikojnë modelin e ekonomisë qarkulluese në këtë sektor, nëpërmjet kthimit të inerteve nga objektet e vjetra në materiale për ndërtim.
Industria e automobilave ofron potenciale për ekonominë qarkulluese. Studimet për sektorin tregojnë se ekonomia qarkulluese mund të ripërcaktojë konkurrencën në sektorin e automobilave për sa i përket çmimit, cilësisë dhe komoditetit dhe mund të dyfishojë të ardhurat deri në 2030 dhe të ulë bazën e kostos deri në 14%.
Fillesat
Ekonomia qarkulluese i ka fillesat shkencore në vitin 1990, kur Pearce dhe Turner kanë dhënë përkufizimin e parë. Ky model mori një vëmendje graduale në rritje, e cila u reflektua në tërësinë e studimeve të realizuara. Profesor Fatmir Mema, nga fondacioni “Ellen MacArthur”, e ka përkufizuar ekonominë qarkulluese si “një sistem industrial i cili është rigjenerues dhe ky rezulton të jetë një nga përkufizimet më të cituara në fushën akademike.
Ai zëvendëson konceptin ‘fundi i jetës’ me restaurimin, zhvendosjet drejt përdorimit të energjisë së rinovueshme, eliminimin e përdorimit të kimikateve toksike, të cilat dëmtojnë ripërdorimin, dhe synon eliminimin e mbeturinave nëpërmjet projektimit të materialeve, produkteve, sistemeve dhe modeleve të biznesit”.
Komisioni Europian (2015) e përcakton ekonominë qarkulluese si një ekonomi “ku vlera e produkteve, materialeve dhe burimeve mbahet në ekonomi, për sa më shumë kohë të jetë e mundur dhe gjenerimi i humbjeve minimizohet”. Ekonomia qarkulluese funksionon mbi bazën e tri parimeve kryesore: Ruajtja dhe forcimi i kapitalit natyror; Optimizimi i produktivitetit të burimeve; Rritja e efektivitetit të sistemit. Këto tre parime mund të përkthehen në gjashtë aksione që ndërmerren nga bizneset: Rigjenero, Ndaj, Optimizo, Riciklo, Virtualizo dhe Shkëmbe. Këto përbëjnë, së bashku, atë që quhet korniza ReSOLVE.
/Marrë nga MONITOR/