Historia e Partisë Demokratike do të shkruhet në një fushë futbolli? Çfarë pritet nga 11 Dhjetori i Berishës

Ditën e nesërme pritet të mbahet në stadiumin “Air Albania” Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Stuhia që po përplas partinë më të madhe opozitare, PD, sa në një krah në tjetrin ka kohë që ka nisur teksa përballjet Basha- Berisha kanë qenë thuajse të pakta, por mes dyshes nuk kanë munguar “kunjat” në distancë.

Megjithatë, e nesërmja është dita që pritet me padurim nga mbështetësit e Berishës, mediat të cilat i kanë diskutuar prej kohësh këto çështje por edhe për kuriozitetin e elektroratit gri.

Teksa mazhoranca në gjithë këtë kohë ka zgjedhur të jetë indiferente duke mos komentuar asnjë fjalë nga përplasjet brenda Partisë Demokratike, ata kanë artikuluar në media se ky është “problem familjar” i një partie politike.

Por çfarë pritet të ndodh nesër, më 11 dhjetorin e ish-kryeministrit Sali Berisha?

Berisha do të presë delegatët e Partisë Demokratike të thirrur nga vetë ai në ditën e themelimit të PD-së, të cilët sipas tij kanë firmosur për këtë Kuvend.

Teksa do të jenë të ftuar të gjithë mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, Berisha më herët ka treguar se në këtë datë do të rithemeloj PD-në.

“Do të rithemelojmë partinë e dhjetorit ‘90, partinë e të rinjve dhe të studentëve, partinë e lirisë së shqiptarëve, të votës së lirë. Vijmë sot këtu më të vendosur se kurrë, se ashtu siç përmbysëm dhe çmontuam 31 vite më parë, diktaturën hoxhiste, të përmbysim dhe të çmontojmë edhe narkoshtetin e Edvin Kristaq Ramës dhe pengut të tij, Lulzim Basha.”- tha thënë Berisha më 8 dhjetor të këtij viti.

Ndër të tjera është bërë publik për mediat se Kuvendi pritet të nis në orën 10 të paradites së ditës së nesërme, dhe do të ketë gjithashtu grupe verifikimi për firmat e mbledhura nga delegatët. Kjo procedurë pritet të zgjasë 1-2 orë.

Sipas Indrit Hoxhës puna do të nis në Kuvendin Kombëtarë që do të mbahet ditën e nesërme dhe do të zhvendoset më vonë në selinë blu të Partisë Demokratike.

Përveç aludimeve që janë hedhur ditët e fundit në rrjet për ndryshimin e vendit se ku do të mbahej Kuvendi, është konfirmuar ditën e sotme se një ndryshim i tillë është bërë në respekt të masave anti-COVID. Kujtojmë që më herët Kuvendi i Berishës do të mbahej në Pallatin e Kongreseve.

Një synim tjetër i Berishës, i artikuluar edhe gjatë “Foltoreve” të tij është ndryshimi i kryetarit të PD-së.

Krizë lidershipi në këtë parti?

Berisha e ka konsideruar Bashën si një peng-kryetar, i cili thyeu shtyllat ku ishte ngritur PD dhe preu shpresat e demokratëve. Gjuha e ashpër mes Bashës dhe Berishës gjithë këto kohë ka qenë më pompoze duke shpallur kështu ‘luftën e ftohtë’ mes palëve.

Megjithëse mbështeja për nismën e ish-kryeministrit nuk ka munguar as nga demokratët por edhe nga deputetët të cilët nxituan të tradhtonin Bashën dhe t’i bashkoheshin “Foltores”, por sa fuqi vendimmarrëse ka Kuvendi i 11 Dhjetorit?

I shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i përjashtuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Berisha thjesht një deputet i PD-së a mund të marrë vendime për lidershipin e partisë?

A do të rishkruhet edhe njëherë historia e Partisë Demokratike në një fushë futbolli?

Teksa se si do të rrjedhin ngjarjet mbetet për t’u parë nesër, kujtojmë se Basha e ka “sfiduar” Berishën me një tjetër Kuvend Kombëtar më 18 dhjetor.

Nëse kjo është “qetësia para stuhisë” në Partinë Demokratike, nesër deri më 18 dhjetor nis “lufta” mes babait politik Sali Berisha dhe kryetarit aktual Lulzim Basha.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *