Ai ishte në një mision në Kosovë dhe gjatë një shërbimi patrullimi, takoi një vajzë 4-vjeçare, e cila vuante nga diabeti i tipit 1. Nuk u mendua dy herë, por bleu menjëherë insulinën dhe një aparat në gjendje për të matur gliceminë në gjak.
Pastaj, pas kthimit në Itali, kontaktoi me mjekët e spitalit “Umberto I” në Romë, për të kryer analiza të thelluara dhe për të identifikuar terapinë e duhur: tashmë fëmija, pas një operacioni të vogël, është mirë.
Kjo është historia e një karabinieri të ri, Fabio Cervellieri, i cili, i mbështetur nga i gjithë Regjimenti i Karabinierëve, shpëtoi jetën e një vajze 4-vjeçare nga Kosova.
Shoqëruese e fëmijës ishte nëna e saj: gjithçka e paguar, nga blerja e ilaçeve, deri te udhëtimi, falë një nisme të organizuar nga Fabio dhe kolegët e tij.
Karabinierët e tregojnë historinë në faqen e tyre në Facebook.
“I gjithë regjimenti i MSU-së, – lexohet në Facebbok, – e ka marrë me zemër këtë çështje, duke mbledhur, përmes një nisme të organizuar në mesin e të gjithë stafit paratë e nevojshme për udhëtimin vajtje-ardhje Prishtinë-Romë. Fëmija, e shoqëruar nga nëna, mbërriti në Romë në aeroportin ‘Fiumicino’ më 13 nëntor”.
Pas disa ditësh mjekime dhe një operacioni të vogël, e mitura nga Kosova ka dalë nga spitali “Umberto I”. Karabinierët kanë premtuar se do të vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë vajzës së vogël, duke u siguruar që ajo të jetë mirë me shëndet.
Pas lajmit të publikuar në Facebook, kanë qenë të shumta përgëzimet dhe mesazhet inkurajuese të qindra personave për karabinierin italian.
/Priza.al/