Rubrika “Old, but gold”, nga Roland Qafoku
Ky që shkoni në foto është një libër i rrallë. Jo vetëm pse përmban historinë e Lidhjes së Prizrenit nëpërmjet pikturave dhe skulpturave, porse nga viti 1979 deri në 1999 ka qenë i fshehur në tokë nga Feim Gashi, roja i godinës së Lidhjes së Prizrenit në këtë qytet. Historia e rrallë publikohet sot për herë të parë dhe ekskluzivisht për priza.al.
Pjesë e muzeut të Lidhjes, ky libër ishte target i policisë serbe si çdo material tjetër i cilësuar nacionalist dhe irredentist shqiptar. Sipas ligjeve të Serbisë së asaj kohës, çdo libër i tillë nëse gjendej do asgjesohej, ndërsa poseduesi do dënohej me burg. Por Feim Gashi, banor i një banese shumë pranë godinës së Lidhjes, e gjeti mënyrën për tiu shmangur të dyjave duke e ruajtur librin. Ai hapi një gropë në oborrin e shtëpisë së tij dhe të futur në një kuti metalike e ruajti aty për 20 vjet. Unë, si gazetar i gazetës “Koha Jonë” mbuloja zgjedhjet lokale të tetorit 2000 në Kosovë e sapoçliruar isha fatlumi që Faim Gashi, tashmë roje i godinës hisorike, të ma dhuronte si një xhevahir të rrallë. Ishte mesdita e 29 tetorit 2000 dhe po sjell të riprodhuar bisedën mes meje dhe Feim Gashit të zhvilluar atë ditë pranë godinës së Lidhjes:
Unë: Përshëndetje! Si jeni?
Feim Gashi: Si jeni? Nga jeni?
Unë: Jam Roland Qafoku, gazetar në Tiranë. Kam ardhur në Prizren për të mbuluar zgjedhjet lokale. Por nuk mund të rrija pa ardhur te godina e Lidhjes së Prizrenit.
Feim Gashi: Kështu, ti je shqiptari i parë i Shqipërisë që unë po takoj pas luftës.
Unë: Jam shumë i gëzuar për këtë. Më thanë se ju jeni roja i godinës dhe unë erdha këtu te shtëpia jote sepse kështu më thanë. A është e vërtetë kjo?
Feim Gashi: Po. Unë jam roja i godinës dhe do të shoqëroj unë te çdo dhomë dhe stendë. Por prit. Meqënëse je shqiptari i parë që të takoj, kam një dhuratë për ty.
Unë: Xhaxha, të falenderoj shumë, por “mos u harxho” themi ne toskët. Për më tepër që nxitoj.
Feim Gashi: Dhuratën ime nuk besoj se do më kthesh. (Shkon në një dhomë, merr diçka andej dhe vjen drejt meje me një kuti një dorë).
Unë: Çfarë është kjo?
Feim Gashi: Ky është një libër që kam ruajtur për 20 vjet. Në vitin 1979 kur nisi represioni serb ndaj shqiptarëve, pas 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, policia serbe nisi sekuestrimet dhe djegiet e të gjitha librave dhe materialeve historike të shqiptarëve. Për ta shpëtuar nga djegia unë fsheha gjithçka. Hapa një gropë në oborr dhe këtë libër e futa në një kuti metalike dhe e groposa aty. Ky libër që bën fjalë për Lidhjen e Prizrenit që na erdhi nga Tirana. Ka historinë e Lidhjes me piktura dhe një tekst historik. Sa e sa herë ka ardhur policia serbe dhe ka kontrolluar, por nuk e ka gjetur. Po ta dhuroj ty. Ja ku e ke.
Unë: Kjo është shumë emocionuese. Kjo një nga dhuratat më të bukura që më është bërë. Nuk e merr me mend se sa më gëzon kjo! Ky libër ka qëndruar për 20 vjet i groposur në tokë?
Faim Gashi: Po, 20 vjet. E nxora nga dheu ditën që u çliruam nga NATO më 12 qershor 1999. Po hedh edhe firmën time këtu. Mbaje si kujtim. (Firmos Feim Gashi).
Unë: Mik i mirë, të falënderoj me zemër!
Dhe vetë shkruajta në libër:
“Ky libër ka qëndruar nën tokë nga viti 1979 deri në 1999 në bahçen e Feim Gashit, i fshehur, sepse nëse e gjenin serbët e dënonin me burg. Feim Gashi ishte roje i godinës. Librin më dhuroi mua, Roland Qafokut më 29 tetor 2000. (nënshkrimi) Feim Gashi”.
ÇFARË ËSHTË KY LIBËR?
Me titull “Ekspozita kombëtare e arteve figurative, 100 vjetori iu Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” është një libër i botuar në Tiranë nga Shtëpia Botuese “8 Nëntori”.
Vetëm një vit më parë ishte 100-vjetori i Lidhjes dhe në Shqipëri aktiviteti ishin të panumërta. Në këtë libër është bërë një rezyme i festimeve të këtij 100 vjetori. Një element i këtij jubileu ishte edhe ekspozita me piktura me temë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Janë 291 piktura dhe skulptura me autorë ngë më të mirët në Shqipëri që kishin të ekspozuar veprat e tyre në një ekspozitë të veçantë dhe që janë të publikura të gjitha në këtë libër.
Nga Odhise Paskali, Zef Shoshi, Agim Zajmi, Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Guri Madhi, Kel Kodheli, Buron Kaceli, Agim Faja e të tjerë, autorët kanë paraqitur nëpërmjet pikturave dhe skulpturave historinë e kësaj Lidhjeje, por edhe të personaliteteve që e formuan atë. Por aty janë vepra edhe të betejave dhe momenteve të asaj periudhe nga më heroiket në historinë e trojeve shqiptare. Libri i është dhuruar Muzeut të Lidhjes së Prizrenit në vitin 1979 të sapobotuar dhe ka qenë i ekspozuar në një nga stendat e këtij muzeu.
DJEGIA E GODINËS NË VITIN 1999
Më 27 mars 1999, gjatë kohës së terrorit serb, godina e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u dogj nga falangat kriminele serbe si kundërpërgjigje për sulmin e NATO-s që kishte nisur tre ditë më parë ndaj Serbisë.
Sipas të dhënave të asaj kohe gjatë natës ajo ishte bombarduar me predha artilerie dhe më pas iu vu flaka.
Autorët serbë synonin që të shkatërronin gjithçka që quhej gjurmë shqiptare. Si pasojë u dogjën dhe shkatërruan shumë dokumente dhe objekte që ishin pjesë e historisë së Lidhjes. Pas çlirimit të Kosovës, në kohë rekord, godina u rindërtua duke e sjellë në gjendjen e mëparshme. Inagurimi i saj më 28 nëntor 1999 ishte një nga ngjarjet më të shënuara të asaj kohe.
LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT
Nesër është 145 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 10 qershor të vitit 1878, shqiptarët bënë shfaqjen e parë publike të nacionalizmit.
Në qytetin e Prizrenit u mblodhën delegatë nga krahina të ndryshme të të gjitha trojeve shqiptare për të protestuar kundër dorëzimit të territoreve të tyre pas vendimeve të marra nga Traktati i Shën Stefanit dhe Traktati i Berlinit. Lidhja kërkoi më pas bashkimin e të katër vilajeteve shqiptare si dhe një autonomi në kuadër të Perandorisë Otomane duke u shndërruar në pothuajse një qeveri mbarëshqiptare.
Delegatët zgjodhën Prizrenin si kryeqytet të Lidhjes dhe zgjodhi si kryetar Iljaz Pashë Dibrën dhe më pas Ymer Prizrenin. Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni që ishin nga organizatorët kryesorë, u zgjodhën si të dërguar të Lidhjes për të biseduar me Fuqitë e Mëdha. Lidhja krijoi edhe ushtrinë e saj që organizoi dhe zhvilloi edhe disa beteja. Por për fat të keq Perandoria Osmane dhe Fuqitë e Mëdha jo vetëm nuk e përkrahën dhe mbështetën Lidhjen por iu kundërvunë asaj me çdo mjet deri ushtarak. Ajo u shpërnda pak vite më pas dhe drejtuesit e saj u burgosën dhe internuan. Mjafton të përmendim se me urdhër të Sulltanit u arrestuan 4 mijë shqiptarë që ishin pjestarë të Lidhjes, shumica u vranë dhe të tjerë u burgosën dhe internuan. Mes tyre edhe Abdyl Frashëri që u arrestua dhe u burgos në burgun e kalasë së Prizrenit dhe më pas u internua në Anadoll. Megjithatë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të mbesë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Ai ishte bashkimi parë i madh shqipërtor i shqiptarëve dhe i territoreve të saj duke hedhur bazat e shtetit shqiptar. Në një farë mënyre, kjo aspiratë është e përmbushur. Shqiptarët tashmë kanë dy shtete në trojet e tyre si Shqipërinë dhe Kosovën, i pari i krijuar më 28 nëntor 1912 dhe i dyti më 17 shkurt 2008, por me pavarësimin e Kosovës, çështja kombëtare shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur plotësisht. Lidhja Shqiptare e Prizrenit na frymëzon. Në mënyrë simbolike edhe ai libër i vogël që u fsheh për 20 vjet nën tokë për të treguar se shpirti i shqiptarizmës nuk ka vdekur kurrë.