Ditën e djeshme në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”, u zhvillua derbi mes Partizanit dhe Tiranës. Tifozët e të dyja skuadrave krijojnë gjithmonë një atmosferë të zjarrtë, por ka edhe raste kur kalohet në përdorimin e dhunës.
Sfida e djeshme u ndal për disa çaste, pasi në fushë u hodhën lëndë piroteknike duke rrezikuar lojtarët, teksa stadiumi u mbulua nga tymi. Për këto veprime, policia ka arritur të identifikojë tre persona (njëri prej tyre i mitur) si shkaktarë të hedhjes së lëndëve piroteknike.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Xh., 21 vjeç, A. G., 27 vjeç dhe një shtetas 15 vjeç, pasi ditën e djeshme, gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipeve Partizani – Tirana, kanë kryer veprime të dhunshme, duke hedhur lëndë piroteknike, ndërsa shtetasi A. G. ka hyrë në fushën ku zhvillohej ndeshja. Policia vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe procedimin penal dhe administrativ, të shtetasve të tjerë kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë lëndë piroteknike, gjatë dhe pas ndeshjes.