Teuta Bajo, gruaja e skulptorit të ndjerë Arben Bajo që ndërroi jetë nga Covid 19, në një vjetorin e vdekjes kujton çastet më të vështira, shtrimin e tij ne spital dhe atë telefonatë të natës që i dha lajmin e tmerrshëm. Arbeni nuk do të kthehej më kurrë në shtëpinë e tij
“Ishte në çastet e fundit. Natën, në orën 02.00 të mëngjesit, mua më kanë marrë në telefon. Nuk e hapa telefonin, nuk kisha guxim të dëgjoja…”
Te intervistosh Teutën nuk është aspak e lehtë. Kujtimet në shtëpinë e tij, janë kaq të gjalla, krijimet flasin, kanë një histori për të treguar. Në një rrëfim të ndjerë për News 24 për herë të parë Teuta tregon gjithçka ndodhi me bashkëshortin e saj nga momenti i parë kur mësoi se ishte infektuar deri tek amaneti për vajzën dhe veprat e tij…
Arben Bajo ishte pedagog i Universitetit të Arteve, i konsideruar një prej prej skulptoreve më të talentuar dhe më të mëdhenj të gjeneratës së tij. I veçantë pasi ishte artist intimiteti. Veprat e tij të artit bashkëkohor shqiptar të ekspozuara brenda dhe jashtë vendi janë çmuar dhe u vlerësuar me interesin e merituar, njëra më e vyer se tjetra. Veprat që la i përkasin artit europian. Ishte vetëm 53 vjeç, në kulmin e karrierës si artist e pedagog kur u nda pabesisht nga jeta
Pas 35 vjetësh bashkëjetesë Teuta tregon sa të vështirë e ka pasur humbjen e tij. Covidi ia rrëmbeu duke i lënë boshllëk dhe vetmi të thellë. Çmallet me Arbenin duke parë veprat e tij në studio, i duket se do i dalë papritur e buzagaz duke rrezatuar dashuri. Atë që ndodhi e quan kaq të padrejtë kaq joreale edhe një vit më pas…
-Një vit pa të si ka qenë ky vit i vështirë?
“Ka qenë një vit shumë shumë i vështirë, nga një bashkëjetesë 35 vjecare, vetëm viti i parë që jam kthyer nga Greqia në vitin 2007 kam qenë larg tij. Është viti që ka vdekur, viti i parë që nuk ekziston më, që nuk është më në jetë. Të paktën atëherë i flisja i dëgjoja zërin, ndërsa sot vetëm cmallem me figurën e tij nëpërmjet punëve dhe i vetmi ngushëllim i imi është vajza dhe punët e tij në studio. Kur shkoj në studio më duke se është akoma gjallë, e ndjej praninë e tij kudo”, -shprehet e mallëngjyer Teuta Bajo gjatë intervistës dhënë për gazetaren e News 24 Aurora Golemi
Arbeni ishte mbase artisti i parë shqiptar që u bë viktimë e Covid 19, shumë të tjerë si ai humbën jetën nga kjo sëmundje përpara se te fillonte vaksinimi…
-Sot qe po kryhet vaksinimi masiv në mbarë vendin, e mendoni ndonjëherë që nëse bashkëshorti juaj do të vaksinohej, ai mund të shpëtonte? E mendoni këtë?
“Edhe mundet, po të ishe bërë vaksinimi më përpara, dhe të njohej më përpara si virus, dmth të kishte disa vite, ndoshta do të ishte akoma në jetë, megjithatë sa i takon vaksinimit, unë për veten time kam frikë. Për faktin se shumë dëgjohet. Nuk jam kundra vaksinimit, por e vetmja frikë që kam që mos pësoj dhe unë diçka si im shoq dhe ngelet fëmija im vetëm, vajza më ngelet vetëm fare. Kjo për mua është frika më e madhe që kam sot”
-Ju e keni marre vaksinën anticovid?
“Jo, unë nuk e kam bërë akoma për faktin se kur u krye unë punoj mësuese jam arsimtare, në momentin kur u krye vaksinimi për të gjithë arsimtarët, unë bëra disa analiza dhe kisha antitrupa dhe prandaj e kam shtyrë për në shtator. Në mënyrë që të jem gati për vitin e ri shkollor”
Teuta Bajo tregon sesi në ditët e para kur pati temperaturë dhe pak këputje Arbeni as e kishte menduar se ishte infektuar me Covid-19, ndërkohë që vetë ishte skeptik për ekzistencën e virusit
-Zonja Teuta ju e mësuat sesi u infektua Arbeni?
“Tamam tamam nuk e mësova pasi unë isha dy ditë para se ai të sëmurej isha tek prindërit e mi në qytetin tim. Kur erdha e gjeta me temperaturë, ai thoshte se ishte infektuar nga një student që kishte qenë sëmurë, pastaj kishte shkuar në një lokal dhe aty kishte ndier një debulesë, të madhe, dhe që nga ajo ditë filloi ishte me temperaturë, por nuk e besonte se kishte Covid pasi nuk e besonte vetë se ekzistonte si virus dhe gjithmonë kur diskutonin për Covidin, nuk e besonte fare. Plus ishte viti i trete që sëmurej në të njëjtën mënyrë, kishte temperaturë dhimbje barku dhe e kalonte gjithmonë. Ditën e tretë të 2020 simptomat nuk ishin ato që thoshin për Covidin, ishte njësoj sic e kishte kapur edhe dy vite më parë. Dhe kjo na gënjeu pasi ditën e tretë atij ju ul temperatura, dikush i telefonoi dhe ai iku në studio për një punë. Gjatë rrugës kur u kthye, siç duket ka qenë shumë vapë. Ja si ditët e sotme, u djersit më shumë , ndoshta u ftoh, ndoshta ishte i dobët fizikisht dhe sëmundja pastaj përparoi”
-Pra kishte kontakt të afërt me një student nga universiteti i Arteve?
“Kështu u tha por se nga e kishte marrë tamam nuk dihet. Pastaj kemi marrë ambulancën pas tre ditësh, ata u vonuan në fakt, erdhën pesë ditë me vonesë. Ditën që kanë ardhur kanë marrë tamponin dhe në darkë ai ka vajtur në spital.”
Teuta tregon pengjet që i ka mbajtur në zemër për një vit, nga formimi i numrit 127 për të thirrur disa herë ambulancën që vonoi plotë pesë ditë tek planet për ta dërguar për kurim jashtë vendit në momentet më fatale…
-Ambulanca erdhi 2 dite me vonesë?
“Ambulanca erdhi 5 ditë me vonesë”
Si ka mundesi qe ndodhi kjo?
“Nuk e di!”
-Sa here e keni telefonuar ambulancën per të marrë Arbenin?
“Mund të kenë qenë të ngarkuar, i telefonova dy ose tre herë, dhe nuk e di përse u vonuan, ndoshta nuk e besonin, na dhanë një recetë, unë ja bëra recetën. Madje i shtova dhe vitamina nga ana ime, sepse e kisha dëgjuar që rrisin imunitetin, por nuk e di…”
-Pesë ditë është shumë…..
“Rastisi që ishte e shtunë e diel, ndoshta kanë qenë dhe ditët e pushimit ato ditë dhe ndoshta prandaj u vonuan”
-Mendoni se nëse ai do të kishte shkuar në spital më herët, ndoshta do ishte kapur në kohë edhe gjendja e tij e rënduar shëndetësore…
“Patjetër, po të vinin që ditën e tretë që i mora në telefon, patjetër do ishte më mirë, sepse ai nuk kishte asnje shenjë Covidi, kishte këto shenja që ju thashë temperaturë që i ngrihej njëherë në gjashtë orë dhe me nje paracetamol atij i binte, dhe i rritej përsëri temperatura, kishte djersë, kishte debulesë. Vetëm dita e tetë që ishtë në shtëpi, ajo ishte më e rrezikshme”
-Kishte probleme me mushkëritë, me frymëmarrjen ndërkohë?
“Jo nuk kishte por ditën e tetë tha kam një shtrëngim, nuk më lejon të fus frymën brenda, unë vetë kisha dëgjuar merr frymë thellë të kalon frymëmarrja e pyesja, më thoshte jo, shijen e kishte në rregull, oreksin e kishte në rregull. Dita e fundit ajo që iku nga shtëpi ishte më e tmerrshmja”
Teuta kujton me detaje ditën kur Arbeni u largua me këmbët e tij nga shtëpia për në spitalin “Shefqet Ndroqi” për mos tu kthyer më kurrë
-Si e kujtoni atë ditë?
“Nuk dua ta kujtoj, për mua ajo ditë është dita më e keqe. Arbenit i ra temperatura, u fut në dush, dhe nga dushi ka dalë i zbardhur, në gjendje të fikti, kjo ndoshta ishte dhe casti më fatal për mushkëritë e tij”
Covid-19 i kishte dëmtuar në atë masë mushkëritë aq sa Teuta nuk mund tu besonte syve kur mjeku i tregoi skanerin në spital
-Mjekët në spital a thanë se mushkëritë ishin prekur dhe në çfarë mase nga Covidi?
“Kur vajta në spital më treguan skanerin e Benit dhe skaneri i Benit ishte komplet i bardhë dhe broket ishin të zëna me pulla të bardha”
I shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Arben Bajo po luftonte për jetën, ndërsa, familja, të afërmit dhe miqtë kërkonin dëshpërimisht gjak nga pacientët e shëruar me Covid terapi që ende nuk kryhej në spitalet covid në atë kohë. Rrjetet sociale u pushtuan me thirrjen urgjente për gjak për skulptorin ndërsa media i dha zë kërkesës së tyre. Ndihma erdhi por nuk ndihmoi, mjekët shqiptarë ende nuk dinin sesi aplikohej terapia inovative.
-Por bashkëshorti juaj i ndjerë luftoi edhe në spital i prekur nga Covidi, u tha që një trajtim me gjakun e pacientëve që kanë kaluar Covidi-n mund të ishte shpëtimtar ne atë kohë apo jo?
“Po e thanë, e thanë dhe vajza jonë Era bëri një lajmërim në facebook, u gjetën donatorët për gjakun A negativ, nga persona që e kishin kaluar Covidin. Atë ditë mua më kanë marrë shumë njerëz në telefon, u kam thënë që nëse eshtë e nevojshme për të kryer plazmën pasi në atë kohë nuk kryhej në ato momente në spitalet tona. I thashë se do i njoftoja ku të drejtoheshin. Aty kam ndier që e kanë dashur shumë, kishte dhe njerez te panjohur fare që unë nuk i njihja, ata mesa duke kishin dëgjuar për të, ose mund të kenë patur kontakte edhe nga miqtë e tyre të cilët shprehën dëshirën për të dhënë gjak”
-Por e menduat që mund të dërgohej në një qendër më të specializuar jashtë shtetit?
“Deri momentin e fundit nuk na tha njeri që po të dërgohej jashtë shtetit mund të rehabilitohej më shpejt, në momentet e fundit, kur ai ishte ditën e fundit në reanimacion, u bënë përpjekje por ishte e pamundur sepse ai nuk mund të lëvizte dot.”
-A mendoni se mjekët dhe infermierët bënë gjithë përpjekjet e tyre?
“Nuk isha brenda nuk mund të them ca përpjekjesh bënë kam një pikëpyetje nuk di të them, thonë se kanë bërë të pamundurën nuk pyeta kurrë si ishte shërbimi, më interesonte vetëm gjendja e tij shëndetësore, të dija sesi. Më bëri një përshtypje, komunikimi me mjekët e kam pasur zero, asnjë informacion nga mjekët, vec miqtë, shokët që pyesnin mjekët dhe më tregonin mua. Vetëm me doktoreshën reanimatore kam patur komunikim, ajo ma shpjegoi se gjendja e Benit ishte e tillë që nuk mund të lëvizte ditën e fundit, por gjithmonë dhe ajo me rezervat e saj, nuk mund të më lëndonte. Madje më tha se ditën e fundit ai pësoi bllokim vëshkash dhe unë nga injoranca që ne jemi në mjekësi, i thoja do ta çoni për dializë? Më tha se po të jetë nevoja do ta cojmë por në atë gjendje që është nuk lëviz, pastaj në mëngjes…”
Lajmi ishte më i hidhur i jetës së saj erdhi në një mes të një natë kobzezë gushti. Mjekët nuk gjetën dot kurajën t’ja thonin. Ajo nuk pati forcën as të dëgjonte nga ana tjetër e telefonit….
“Natën, në orë 02.00 të mëngjesit, mua më kanë marrë në telefon. Nuk e hapa telefonin, nuk kisha guxim të dëgjoja, sepse më merrnin në telefon vazhdimisht të më tregonin. Telefonin e ka hapur kunata ime. Mjekët nuk e thonin dot…aq sa kunata i pyeti mbaroi? Ata mbyllën telefonin dhe nuk u përgjigjën, nuk kishin guxim as të thoshin, ishin nga salla e reanimacionit”
Në gjendje të agravuar në shtratin e spitalit Arben Bajo, ditët e dhimbjes i kaloi i vetëm pa të dashurit pranë si gjithë pacientët e tjerë, por Teutës i shkruante se do ja dilte. Na mbante me shpresa për që mos të shqetësoheshim thotë ajo kur realiteti ishte krejt tjetër. Ditën që u intubua, i shkruajti me pak fjalë se do të kryente disa analiza…
-Si e përjetoi Arbeni kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua?
“Nuk dha asnjëherë shenjë që të dorëzohej, dhe në mesazhet që këmbenim që flisnim ditë për ditë dhe vazhdimisht, thoshte jam më mirë, ja po mbaron, ja dhe dy ditë dhe do dal, jam më mirë, gjithë mesazhet që kam lexuar dhe tek kolegët e tij dhe tek miqtë e tij që ka komunikuar thoshte që jam më mirë. Nuk ia merrte mendja. Vetëm ditën e parë, pra mëngjesin e parë, ishte data 6 gusht, që mjekët e futën në reanimacion, më shkruajti në mëngjes nuk do më gjesh të disponueshëm do jem duke bërë analiza. Ndërkohë më pyeti si je, më tha se ishte më mirë, më tha se më të gjitha parametrat jam mirë. Ndoshta ishte kjo që nuk donte që unë të bëhesha merak për të. Sepse sa herë që thoshte jam mirë, e ngacmoja në mënyrë që të më tregonte më shumë. Më pyeste cfarë ke përse je e shqetësuar, pastaj me qetësonte më thoshte se ishte mirë. Kjo ishte! Në një farë menyrë ne na la në “gjumë”, të besonim se do përmirësohej, por mendja nuk na shkonte kurrë se do ikte”
Në gjendje të rënduar kur artisti ndoshta kishte nisur të mendonte për më të keqen, Teutës i la dy amanete, të kujdesej për të shtrenjtën e tij Erën, vajzën e tyre të vetme dhe që veprat e tij të mos liheshin në harresën e kohës …
–Çfarë ndodh me atë studion e Arben Bajos, çfarë ndodh sot me veprat e tij?
“Frika dhe amaneti i tij ishte që mos të humbisinin punët, e thoshte shpesh herë kishte frikën kishte parë përvoja të skulptorëve të mëparshëm punët e të cilëve janë hedhur, janë thyer, dhe kjo ishte frika më e madhe e tij”
-A ua shprehu këtë kur ishte në gjendje të rënduar?
“Kur ishte në gjendje të rënduar në shtëpi po, tha nuk dua që punët e mia të prishën, ose të humbasin, meraku i vetëm i tij po sigurtisht dhe vajza, Era, atë ditë që ai ishte sëmurë Era ka mbyllur diplomën dhe ai nuk arriti të shikonte diplomën e saj”
Pengu më i madh i Teutës është që nuk i dha lamtumirën, që nuk i shtrëngoi dorën shokut të saj të jetës në momentet kur ai dha frymën e fundit. Arben Bajo u largua në heshtje e pa bujë…
A ju ka mbetur diçka peng që doni ta shprehni në këtë intervistë?
“Peng? Që nuk pata mundësinë që deri momentin e fundit të isha afër tij, sepse ai kaloi dhjetë ditë në spital , thoja pse nuk bëra përpjekjet të futesha brenda në spital , të rrija atje nuk di çfarë të them”
Teuta tregon se në prill po përgatitej të çelte ekspozitën me tematikë: mitologjia, pandemia e shtyu duke i lënë dhe mërzi. Hapjen e ekspozitës e përjetonte emocionalisht, bashkë me veprat kishte derdhur shpirtin e tij
Por bashkëshorti juaj i ndjerë në atë kohë po përgatitej për ekspozitën e tij personale që u shty për shkak të pandemisë? Mund të na thoni më shumë?
“Ekspozita do të hapej në prill të 2020, ishte shumë entuziast i kishte derdhur veprat i kishte bërë gati, pavarësisht se ato janë tani të shpërndara nëpër miq, kur të hapet ekspozita përsëri do të mblidhen, u mërzit, ajo cdo ekspozitë që hapej e përjetonte, emocionalisht, shpirtërisht, fizikisht lodhje..”
Sa të piqen kushtet, dëshira e saj dhe e miqve është të çelin një ekspozitë me gjithë krijimtarinë e Arbën Bajos, e nëse kjo nuk arrihet të paktën të vazhdojnë atë që ai la në mes….
Më thatë që ekspozita e tij do të hapet, por kur?
“Do të hapet, se kur do hapet ja presim të kalojë kjo valë e keqe e pandemisë me ndihmën e miqve të tij do hapet. Por duhen disa përgatitje përpara. Po përgatitet katalogu, kur të përfundojë katalogu i krijimtarisë së tij do të hapet”
Veprat e artit që ruhen nga familja në studion e tij, duhet që të kenë vlerësimin e duhur dhe nga institucionet, të cilat deri më sot nuk duket se po tregojnë vullnet për të çelur qoftë edhe një ekspozitë në kujtim të tij në këtë prag një vjetori të ndarjes nga jeta. Teuta nuk ka asnjë sinjal që kjo të realizohet dhe mbledh supet duke shpresuar që ekspozita me gjithë krijimtarinë e tij të mos ngelet vetëm dëshirë e saj dhe e miqve të Benit
-A ka një tematikë të caktuar?
“Miqtë e tij mendojë se ekspozita të bëhet për gjithë krijimtarinë e Benit, dhe nëse kjo është e pamundur të realizohet të paktën ekspozita për mitologjinë, atë e kishte lënë përgjysmë, tema që do hapej ekspozita në prill ishte pikërisht mitologjia. Kuptohet ka edhe njerëz të tjerë që janë të gatshëm për të ndihmuar për këtë ekspozitë tani kur të caktohet, pasi të përfundojë realizimi i katalogut, atëherë do të hapet dhe ekspozita”
-A u mërzit shumë kur u shty hapja e ekspozitës së tij për shkak të pandemisë, çfarë mbani mend?
“U mërzit shumë gjithomonë para se të hapej një ekspozitë ndodhte diçka, ishte e pamundur që mos të ndodhte diçka, psh në Hagë, unë mbaja anën emocionale të tij, ai ishte i impenjuar shqetësohej shumë unë e qetësoja, ndodhi një akt terrorist në Europë, vëmendja u tërhoq jo në drejtim të tij, e ka ndjekur gjithmonë ishte si një ogur, e ka shoqëruar”
Në kulmin e pandemisë, pedagogu i përkushtuar i skulpturës merrte cdo ditë leje nga platforma e-Albania për të zhvilluar mësim me studentët në studion e tij, i kishte jo vetëm studentë por shokë
-Po mësimin me studentët e tij të universitetit të Arteve si e zhvillonte?
“Kur bente mësim ai kërkonte leje në E-Albania dhe shkonte në studio dhe i realizonte atje, studentët e tij”
-Pyetja që më lind si mund të zhvillonin në ato kushte mësim online studentët e arteve?
“Shqetësohej shumë, artet janë diçka e prekshme, janë konkrete nuk mund të flasësh në ajër, por nuk e preke baltën sic thoshte ai nuk mund të tregosh që bën skulpturë. Ai ishte si shok me studentët, ata flasin fjalë shumë të të mira, punën e mbante brenda studios unë shikoja shqetësimet e tij, kur kishte ekspozita të jetosh që 17 vjec e deri tani më të unë e kuptoja ia njihja dhe fijet e e flokëve, që në shikimin e parë e dija cfarë kishte”
Arben Bajo, u dekorua me titullin “Mjeshtër i madh” shtatë muaj pas vdekjes. Një titull kaq i vonuar. Ikja e tij e parakohshme, preku mbarë opinionin, la dhimbje të pamatë tek familja, tek miqtë që sot ruajnë prej tij, kujtimin e një urtësie të veçantë dhe të një talenti në kulmin e vet.
Ishte një artist i rrallë por mbi të gjitha një shpirt i butë e i pakrahasueshëm. Një Rodin shqiptar për nga finesa, fuqia e shprehjes, karakteret që ai ka realizuar në artin e tij. Në një vjetorin e ndarjes së tij nga jeta kujtohet njeriu e artisti që jetoi e iku në heshtje, duke lënë pas një pasuri të madhe në artin shqiptar dhe jo vetëm…
/Burimi: News24/