Në Pogradec, qytetarët janë mbledhur për të bërë homazhe në nder të Egli Progës, 42-vjeçarit që humbi jetën nga dhuna e ushtruar nga Denis Meçe më 10 gusht.
Në homazhe, përveç qytetarëve të shumtë, morën pjesë edhe familjarët e viktimës, përfshirë babain dhe motrën e tij.
Babai i Egli Progës u shpreh se kërkojnë vetëm drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes: “Vetëm drejtësi, vetëm drejtësi! Të dali e vërteta, kaq.”
Hetimet kanë zbuluar se Proga u dhunua rëndë nga 29-vjeçari Meçe, duke i shkaktuar vdekjen. Pas incidentit, Proga kishte mbyllur lokalin e tij dhe ishte parë duke ecur në rrugë në një gjendje të rëndë. Dëshmitarët kanë raportuar se Proga u godit në kokë dhe më pas u hodh në rrugë. Ka pasur dyshime për vonesa në ndihmën emergjente dhe për fshehjen e detajeve nga ngjarja, që kanë shkaktuar shqetësim dhe akuzat nga familjarët për autoritetet.
Kërkesa për drejtësi dhe për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë mbetet e fortë ndërsa hetimet vazhdojnë.