“Homoseksualiteti i Enver Hoxhës”/ Eseja e studiuesit Aurel Plasari: Flinte në një shtrat me Gogon dhe i përshkruante fytyrën, sytë e gjoksin! Me Vojon puthej dhe i…

Çfarë shkruante Aurel Plasari para gati 30 vjetësh për diktatorin dhe “psikopatologjinë e pushtetit”?

Eseja që po ribotojmë është shkruar në vitin 1992, kur autori ndodhej për specializim pasuniversitar në Universitetin “Alcalá de Henares” të Madridit, është botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i rinisë” 3 dhjetor 1993, dhe përbën tanimë një parashikim kërshëror për biografitë e ardhshme të Enver Hoxhës dhe të vijuesve të mundshëm të tij.

******
I dashur V.,
Të shkruaj me vonesë, por ti e di sa punë i hap unë vetes. Po lexoja “Stalinin” e Trockit dhe mu kujtua novela jote, për të cilën ende nuk të kam dhënë mendim. Megjithëse nuk e kam këtu librin e Lasswell-it “Psikopatologjia dhe politika”, besoj se mund t’i formuloj ato ide që do të doja t’i sugjeroja. Do të më duhej “Psikopatologjia dhe politika”, sepse kam përshtypjen që dobësia kryesore e novelës qëndron te trajtimi i figurës së diktatorit dhe duke qenë novela, në fakt, “një histori e shkurtër diktatoriale”, kjo e bën atë të mos arrijë atë pikë inkandeshente, siç e quaj unë, të realizimit estetik. Ajo çfarë i mungon figurës them se është trajtimi psikopatologjik, pa të cilin universi i përçudur i pushtetmbajtësit nuk kuptohet dot.

Thuhet se ka domosdoshmërisht një psikopatologji në ushtrimin e pushtetit politik, madje edhe në shoqëritë që quhen formalisht demokratike. Këtë e dëshmojnë mosbesimi që tregojnë rëndom shumica e qytetarëve, nga njëra anë, dhe mospërfillja me të cilën sillen politikanët ndaj zgjedhësve të tyre, nga tjetra: duke i gënjyer shpesh, duke u premtuar gjëra që nuk kanë për t’i realizuar asnjëherë, shkurt duke i joshur e mashtruar. Njerëzia, veçanërisht te ne, joshet lehtë gjatë farsave elektorale, madje duke qenë e ndërgjegjshme se të zgjedhurit nuk do t’i mbrojnë interesat dhe aspiratat e atyre që i zgjodhën, mbasi – sikurse e thonë vetë – do të qeverisin “në emër të gjithëve”, që më shqip do të thotë se do ta bëjnë këtë në funksion të grupeve më influente, të pakteve më të fuqishme, të presioneve ndërkombëtare etj.

Nuk është për t’u çuditur që njerëzit kanë paragjykimin se të gjithë politikanët “një feçkë kanë”: aspirojnë për një çikëz pushtet si rrugë për ta shpallur publikisht vetveten, për ta ngritur “prestigjin individual”, për t’u bërë të rëndësishëm, për të prishur fonde publike, për të bërë ndere e për të shpërndarë favore mes miqsh e të afërmish. (E ke parasysh ish-ministrin, kolegun tonë, dhe qyfyret që bënim me ndryshimet që solli ai pesë minuta pushtet politik në personazhin e tij?) Madje do të thosha se këtyre politikanëve edhe votat nuk u jepen për idetë ose programet e tyre politike, por për fytyrën karizmatike që ia krijojnë vetes nëpërmes mjeteve të komunikimit masiv. Njerëzit e dinë gjithashtu se, me t’u zgjedhur, këta jo vetëm nuk do t’i realizojnë programet e veta politike, por as do të marrin mundimin të justifikojnë moralisht ose ideologjikisht përdorimin e pushtetit nga ana e tyre, mbasi ata kërkojnë vetëm që njerëzia ta marrë vesh mirë se kush e ka pushtetin. Kjo për ta mjafton. Në mënyrë tautologjike: vetë të ushtruarit e pushtetit politik i bën ata legjitimë. Nga ana tjetër, duke vazhduar të shfaqin me ngulm imazhin e tyre në publik, kjo gjë i bën më popullorë, si rrjedhim lehtësisht të zgjedhshëm përsëri e përsëri.

Sido të vejë puna, shqetësimi më i madh i një politikani mbetet ruajtja, madje përmirësimi i figurës së vet. Ndaj është e kuptueshme që ai të bëhet intolerant, hakmarrës dhe agresiv ndaj gjithëve atyre që kritikojnë veprimet e tij publike. Madje mund të shndërrohet edhe në një paranojak të rrezikshëm ndaj atyre që guxojnë t’ia zbulojnë ndonjë fletë “lakrorit”. Nga ana tjetër, prej librit “Ujku dhe Leopardi”, për të cilin kemi diskutuar, kujto skenën se si Mustafa Qemali vari anëtarët e opozitës, që nuk i bindeshin, te Sheshi i Ankarasë, natën ndërsa kishte organizuar ballon presidenciale.
Është në natyrën e një politikani që ai ta ndiejë veten të përndjekur, për shembull nga gazetarët, që nuk u zënë besë të gjithave sa shpall ai. Madje të arrijë të mendojë me vete: “Ata që nuk janë me mua janë kundër meje”. Po ashtu është në natyrën e politikanit ai që po e quaj “obsesion për figurën”. Kjo nuk lidhet thjesht me kultin (e vjetruar) të personalitetit, sikurse ta sugjeron personazhi që ke krijuar ti. Obsesioni për figurën fillon nga stilet e ndryshme të të krehurit të flokëve gjithsaherë ka për të dalë në publik, vazhdon me merakun për t’i folur vetë të gjitha gjuhët e botës, për t’i caktuar vetë drejtuesit e kronikave të tij televizive, madje edhe kameramanët që do t’ia përjetësojnë figurën, dhe mund të përfundojë në një narcisizëm të tipit paranojak.

(Shiko librin e Christofer Lasch-it “Kultura në narcisizëm”).Në këtë mënyrë ai nis e ndien veten viktimë të kritikave që, natyrisht, gjithmonë janë të padrejta, fshehin “interesa antikombëtare” (Këtë leksemë e kam nga Abdi Baleta) ose “skenarë të parapërgatitur” (këtë nga Ramiz Alia), gjë që do të thotë se politikani në pushtet do të bëhet i padiskutueshëm ngaqë është “mbi të gjithë”.

Specialistët e psikiatrisë janë të mendimit se paranoja e politikanëve vjen pikësëpari prej vetmisë. Këtë ua shkakton lidhja intime me pushtetin, e cila i pret një mbas një lidhjet e tjera. Sidomos në rastet kur pushteti mbetet i vetmi burim i vetënderimit të tyre dhe i nderimit nga ana e të tjerëve. Ka politikanë që nuk kanë asgjë para marrjes së pushtetit, që kanë fituar gjithçka me marrjen e pushtetit dhe që kanë frikë se mos kthehen në hiçër me humbjen e këtij pushteti. Besoj se ky duhet të jetë edhe rasti i personazhit tënd.
Mirëpo këtu çelet kontradikta vendimtare e jetës së këtyre politikanëve: sepse as pushteti politik nuk i lë plotësisht të kënaqur ata që e mbajnë, mbasi i kllapos në një shqetësim të vazhdueshëm. Politikani nis e mendon se edhe mes bashkëpunëtorëve më të afërt ndodhet ngaherë ndokush që mendon t’ia zërë vendin në rastin më të parë.

Prandaj, dashtë e pa dashtë, politikanit i lypset të jetë gjithnjë “syçelët”, të përgjojë në beft, i gatshëm për çdo të papritur. (Ataturku – Stalini – Enveri etj.). Meqë armiqtë zakonisht qëndrojnë të fshehur dhe përgjojnë nga të gjitha anët, më mirë është të mos i besosh askujt. Kështu vjen puna që politikanët, zakonisht, nuk kanë miq të vërtetë, por vetëm admirues servilë, lajkatarë dhe karrieristë që u vijnë rrotull. Si rrjedhojë, asnjëherë nuk kanë për ta ndier veten të sigurt e të qetë. Jo vetëm kaq, por arritjet e tjerëve, të shkencëtarëve, shkrimtarëve ose artistëve, madje edhe sukseset e besnikëve të tyre, mund t’i bëjnë xhelozë, dyshimtarë, përgjimtarë.

Në këtë kuptim, nuk duhet marrë si fiction ajo çfarë thotë Kadareja në një intervistë se Enveri e kishte zili atë si shkrimtar dhe rrekej t’ia kalonte. Në kuptimin psikopatologjik kjo qëndron dhe, në rastin e diktatorëve si Enveri, nuk është për t’u habitur që ata të shndërrohen për shkrimtarin në mos në një rrezik konkret, së paku në një rrezik potencial. Veçse, po në kuptimin psikopatologjik, do vënë në dukje edhe kahu i kundërt i simptomës: kur shkrimtarët, artistët apo shkencëtarët bëhen xhelozë për pushtetin e një politikani dhe rreken t’ia pushtojnë sferën duke arritur ta përfytyrojnë veten trashëgimtarë legjitimë të pushtetit të tij. Politikanët kanë prirjen të rrethohen prej njerëzish ose prej figurash në mënyrë që ata të mos u bëjnë dot hije. Në këtë kuptim, gabimi më fatal për një ministër që synon të vazhdojë të qëndrojë në detyrë do të ishte që ta bënte punën mjaft mirë duke punuar mbas kokës së vet, d.m.th. në mënyrë të pavarur. Në botën e sotme ndërrimet ministeriale ngjajnë shpesh të pakuptueshme, të pashpjegueshme, si ndryshime të strategjisë politike, kur në të shumtën e rasteve ato shkaktohen nga ndjenja të urrejtjes ose hakmarrjes së një politikani.

Kjo vërtetohet çiltas kur zëvendësimi i kryer nuk shoqërohet prej kurrfarë ndryshimesh strategjike. Unë mendoj se, kur trajton psikopatologjinë e politikanëve, një shkrimtar duhet të ketë parasysh se ajo shpesh, për njerëzit e thjeshtë, kalon pa rënë në sy, madje edhe në një sistem formalisht demokratik. Kështu ndodh, për shembull, që mendimi paranojak i një politikani nuk dallohet nga publiku, mbulohet prej akteve të zhurmshme politike. Të parët që e diktojnë atë duhet të jenë të afërmit, adjutantët, këshilltarët, sekretarët, rojat, shoferët etj. Por këta, nga anë e tyre, do të përfshiheshin si subjekte në një tjetër sferë psikopatologjike. Te psikiatrit mund të gjesh disa tregues “më të kapshëm”, pikërisht prej atyre që qëndrojnë pranë një politikani të tillë. Që të mos sjell shembuj shqiptarë, prej të cilëve mund të prekej shumëkushi, po kujtoj rastin e James Forestal-it, sekretar i Mbrojtjes në qeverinë e Shteteve të Bashkuara deri më 1949. Ai dha dorëheqjen “për arsye politike” në mënyrë që presidenti të mund të zgjidhte kabinetin e ri. Nga libri i Rogov-it, që po e lexoj këtu (“James Forestal”, McMillan New York 1963) shikoj se ish-sekretari i Mbrojtjes pandehte se komunistët dhe çifutët kishin organizuar brenda qeverisë amerikane një komplot për ta asgjësuar. Ishte plotësisht i bindur se në një “pushtim të ardhshëm komunist” ai do të ishte “viktimë e parë” dhe këtë kishte tre vjet që e thoshte, por askush nuk ia vinte veshin. Pas dorëheqjes, qenka shtruar në spital dhe paska vrarë veten.

Por nganjëherë edhe dëshmitë familjare bëhen me vlerë për psikopatologjinë e politikanëve, pikërisht ngase kjo psikopatologji shfaqet edhe në distancimin e vazhdueshëm prej familjarëve, të cilët ndonjëherë janë të gatshëm t’i flijojnë në altarin e ushtrimit të pushtetit. Më kujtohet këtu historia e vdekjes së nënës së Stalinit dhe krizat paranojake të të birit kundër “armiqve të popullit”, mandej vetëvrasja e Nadjes, dhembjen për të cilën ai e shndërroi përsëri në një paranojë politike dhe filloi të mos i besonte më askujt. Njëri prej jetëshkruesve të tij tregon se atë ditë të 53-shit, kur e gjetën pa ndjenja, shtrirë për dysheme, muret e banesës së tij qenë të mbushura me fotografi të zmadhuara fëmijësh. Politikanët shkëputen nga e kaluara dhe në këtë mënyrë ndërtojnë një modus vivendi cilësisht të ndryshme prej së mëparshmes. Edhe personaliteti i tyre duket sikur shndërrohet, në mënyrë të magjishme, me t’iu afruar pushtetit.

Një pjesë e madhe politikanësh e kanë nisur karrierën me një kthesë bindjesh 180-gradëshe, të cilën e përligjin me “të drejtën e shenjtë” për të ndërruar mendim. Por me një kusht: këtë të drejtë ia njohin vetëm vetes dhe jo të tjerëve. Kur marrin pushtetin vazhdojnë t’i ndërrojnë mendimet si koafyrën e flokëve. Ndryshojnë edhe marrëdhëniet me të tjerët duke kaluar nga reciprociteti, vëllazëria ose miqësia te marrëdhënie të kushtëzuara prej parametrash hierarkikë. Prej këtij çasti politikani e ndien veten mbi gjithë të tjerët, mbi gjithë botën. Fillon për të kësisoj ajo që quhet “marrëzi e madhështisë”.

Ndonëse në dukje politikani hiqet si altruist, ai është së pari një narcisist. Historia e pushtetmbajtjes së tij mund të shkruhej më së miri si histori narcisizmi. Gjatë ushtrimit të një pushteti të tillë ndjenja e tij më e rëndomtë është urrejtja, hakmarrja, agresiviteti. Madje nuk mund të konceptohet një politikan gjithnjë babaxhan e i dashur me të gjithë. Po ta analizosh mirë këtë ndjenjë, do të zbulosh një urrejtje zanafillore të ndrydhur ndaj autoritetit, që shfaqet kur politikani është në opozitë dhe kritikon pushtetin. Ka raste kur kjo urrejtje e zë fillin te një mllef i ndrydhur ndaj babës (kujto Enverin: kurbeti i babës dhe zëvendësimi i tij me xhaxhain, “Baba Çenin”, i cili ishte edhe kryetar bashkie, belediereiz), që më pas zhvendoset tek “objekte sociale” të cilat luajnë rol të rëndësishëm në shoqëri. Zhvendoset veçanërisht kundër atyre që janë në pushtet, vendin e të cilëve aspiron ta zërë ndonjëherë: gjeje Lasswell-in, i cili e ka hulumtuar përimtësisht këtë proces.

Në mënyrë të ngjashme, edhe agresiviteti derdhet në kanalet politike duke u paraqitur si nevojë për të ndryshuar, përmirësuar ose përkryer shoqërinë, për ta bërë më të drejtë, më të lulëzuar e më të begatë, për ta ngritur nivelin e jetesës së popullsisë. Në të vërtetë, shkaqet e brendshme duhen kërkuar në vetëdijen e politikanit, ndonëse idetë dhe objektivat e tij mund të kenë fituar një bonsens të rëndësishëm social. Procesi mund të këtë shkuar aq larg – si në rastin e personazhit tënd – saqë motivet që e futën fillimisht në veprimtarinë politike tanimë të mos kenë kurrfarë rëndësie objektive.
Nëse në novelën tënde e ke fjalën konkretisht për Enverin, do të të sugjeroja të mos harroje diçka: na pëlqen neve ose jo, Enver Hoxha do të mbetet një nga personalitetet më të spikatur të historisë shqiptare të shekullit XX, gjurmët e të cilit janë ende të pranishme edhe tash gati 10 vjet pas vdekjes së tij. Shtatlartë, buzagaz, me zë të shtruar e të ngrohtë, ai arriti të bëhej udhëheqësi i padiskutueshëm i Shqipërisë që delte nga Lufta e Dytë Botërore, duke ushtruar për 40 vjet një autoritet të gjithanshëm mbi shqiptarët mbarë.

Nga banesa e tij në një bllok gjysmë të izoluar të kryeqytetit ai impononte “paqe” mbi krejt vendin, mbante në zap rendin publik, vigjilonte me sytë katër edhe disidencën më të vogël, kërkonte t’ia dëgjonin fjalën pa asnjë diskutim, i ledhatonte me favore besnikët dhe i përndiqte sistematikisht armiqtë e tij të shumtë, të cilëve u duhej të zgjidhnin mes heshtjes, kompromisit, tërheqjes nga politika, burgut ose plumbit te bregu i lumit. Figura e tij, teatralisht e afërt, ishte e pranishme në të gjitha ngjarjet e nivelit kombëtar, nëpërmjet RTV shqiptar, dokumentarëve e filmave të kinostudios “Shqipëria e Re”, gazetave e revistave, monumenteve politike, emërtesave të rrugëve e shesheve, portreteve nëpër zyra, shkolla, spitale, madje edhe shtëpi. Edhe mbas vdekjes së tij “vullnetarët” e tij nuk ia braktisin dot lehtë mitin, ndjellin dhe urojnë ringjalljen e tij, madje kam përshtypjen se edhe mes kundërshtarëve të tij ka nga ata që mendojnë se “nën Enverin jetonim më mirë”.

I hyjnizuar a i demonizuar, në jetën vetjake Enveri qe një mit. Shumë gjëra për të nuk diheshin e ende nuk dihen. Edhe ai vetë i besonte verbërisht personazhit që trupëzonte para të tjerëve. Biografi të tij “objektive” ende nuk kemi. Pavarësisht gjithë atyre fletëve shkruar për të, muret e heshtjes dhe zonat misterioze të jetës së tij mbeten të shumta. Edhe ndonjë prej atyre që kanë sjellë të dhëna me vlerë për jetën e tij (Shefqet Peçi, Ramiz Alia, Sulo Gradeci, Haxhi Kroi etj.) nuk ka qenë në gjendje të kuptojë personin që fshihej brenda personazhit, as nuk ka ditur të shpjegojë se si e qysh e tek ndodhi ajo ngritje nga një fëmijëri e hirtë, e mjegullt dhe e mbështjelluar, deri në majat më të larta të pushtetit absolut. Për këtë arsye ngulmoj për një hulumtim më të imët në tiparet psikologjike të personazhit tënd, duke e trajtuar atë me dobësitë dhe konfliktet psikike, me fantazmat, komplekset dhe fobitë, që gjithmonë kanë përcaktuar shumë nga veprimet e tij politike, sikundër qe, për shembull, zhdukja sistematike e shokëve të rinisë.
Adoleshenca, që përkon me shtimin e kërkesave sociale, është periudha në të cilën qëndrimet politike kristalizohen te subjekti, i cili sakrifikon “kompleksin familjar” për hir të ambicies ndaj synimesh të larta sociale.

Në kuptimin artistik, mund të thuhet se ai e përtërin dhe përforcon “romanin familjar” të fëmijërisë, e mbush imagjinativisht me personazhe të madhërishëm që zëvendësojnë familjarët. Me personazhe të tilla ai vetidentifikohet. Adoleshenti braktis ndjenjat, miqësitë dhe dashuritë, dhe përqendron përpjekjet e tij në luftën për prestigj social. Nëpërmjet admirimit të tepruar që kanë gjithnjë prindërit për të, por edhe nëpërmjet pengesave të hasura në marrëdhëniet e tij të para dashurore, ai bëhet tekanjoz, narcisist. (Enveri, për shembull, e tregon vetë se si, në ndryshim nga gjithë shokët, ai ishte i vetmi që nuk delte me brekë të shkurtra gjatë orëve të fizkulturës.) Po të pranojmë skemën e Freud-it, kthimi mbrapsht te subjekti bën që ai t’i kthehet unit të vet dhe të ngulitet ndër objekte homoseksuale.

(Përsëri Enveri: portretin e Gogos, me të cilin fle në një shtrat, e përshkruan duke ngulmuar te fytyra, flokët, sytë, gjoksi, ndërsa Vojos, me të cilin puthet, i ngulmon përsëri në përshkrimin e trupit, të muskujve, të burrërisë.)

Ngulitja homoseksuale zhvendoset nëpërmjet libidos mbi “objekte të përgjithësuara” duke aspiruar të sigurojë në të ardhmen simpatinë dhe admirimin e një kolektiviteti të tërë.
Ka raste të shumta kur historia familjare e politikanëve dëshmon për ndrydhje të urrejtjes ose të agresivitetit. Në fëmijëri kanë qenë “fëmijë model”, ndonëse të druajtur e shumë të ndjeshëm, që i kanë ruajtur për vete ndjenjat. Madje agresiviteti i ndrydhur u ka shërbyer për të hyrë në konkurrencë dhe u ka nxitur prirjen për t’u marrë me çështje sociale e politike. Qysh të rinj kanë mësuar t’i kontrollojnë, por edhe t’i fshehin ndjenjat dhe kjo është stërvitja e tyre e parë për mashtrim dhe intrigë. Edhe zgjedhja e fushave në të cilat depërtojnë – ideologji, politike, ekonomike etj. – varet prej modeleve që kanë zgjedhur pikërisht gjatë rinisë së hershme.

Nuk po zgjatem më, vetëm se dua të të kujtoj që, në rast se në novelën tënde e ke fjalën vërtet për Enverin, miti i të cilit ka nisur të shkërmoqet për t’u bërë një ditë pluhur e hi e për t’u harruar, në një rast të tillë do të bëje mirë të mbaje parasysh se gjurmët e veprës së tij janë ende të dukshme në shoqërinë e sotme dhe se ai si personazh do të priret për t’u riprodhuar edhe te politikanë të sotëm.

Gusht 1992
Madrid, Alcalá de Henares
“Zëri i Rinisë”, 3 dhjetor 1993
Titulli i autorit: PËR NJË PSIKOPATOLOGJI TË PUSHTETIT
Përgjigje një shkrimtari
AUREL PLASARI

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *