Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në spitalin e Pejës në Kosovë, ku një foshnje e porsalindur pa shenja jete është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe.
Denoncimin e kanë bërë familjarët, të cilët u shokuan kur morën vesh se foshnja e tyre lindi pa shenja jete, por kur kërkuan trupin e pajetë, nuk kishin mundur që ta merrnin me vete për t’i kryer nderimet e fundit.
Pas refuzimit për t’i dhënë trupin e pajetë të foshnjës, menjëherë kanë shkuar dhe kanë denoncuar rastin në polici. Deri më tani familja pretendon se nga pakujdesia, foshnja e pajetë mendohet se është futur bashkë me çarçafë në makinën për larjen e rrobave të spitalit. E gjatë proceseve, trupi është shpërbërë në disa pjesë.
Mes lotësh, babai i foshnjës thotë se dyshimet nga ana e tij lindën sapo pa që spitali refuzoi ta nxjerrë trupin e pajetë të foshnjës. Çdo gjë pas këtij momenti, ka thelluar tragjedinë.
I ati nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjet për të marrë vesh të vërtetën. Por, e vërteta që mori ishte përtej asaj që ai kishte imagjinuar. Ai pa me sytë e tij trupin e pa copëtuar të foshnjës së tij, pasi u nxorr mes çarçafësh nga lavatriçja e spitalit.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se po kryhen hetime nga Prokurori i Shtetit dhe Inspektorati i Shëndetësisë.
Mësohet se shtatë punonjës të spitalit të Pejës janë pezulluar nga detyra pas lajmit tragjik.