Pak ditë më parë ose më saktë një ditë pas protestës së 8 janarit 2022 për marrjen e selisë së PD-së nga demokratët e ish-kryeministrit Sali Berisha, në shumë media u përhapën lajme se, në vend në SHQUP-it (selia e PD-së), kryetari de-jure Lulzim Basha kishte për synim të ndërtonte aty një kompleks gjigant kullash.
Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se projekti që po qarkullon në media, ku paraqitet ndërtimi i disa kullave aty ku sot është selia e Partisë Demokratike, është një tjetër lidhje mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Për këtë ish-kryeministri Berisha, ka publikuar në rrjetet sociale dhe një mori me dokumente, foto dhe linqe nga projekti dhe studioja arkitekturore që ka projektuar kompleksin luksoz që do të zërë vendin e SHQUP-it dhe që mbulon thuajse totalisht xhaminë e madhe të Namazgjasë që ka pranë.
“Përveç Portit të Durrësit, projekti për ndërtimin e kullave te PD i bën prapë bashkë Ramën dhe Bashën. Duke dënuar këtë aferë të pastër korruptive kriminale Rama-Basha, paralajmëroj këta bashkëhajdutë se selia e PD është tempulli i demokratëve shqiptarë dhe kurrë nuk mund të tjetërsohet nga bandat e narkoshtetit shqiptar!”,- deklaroi në një status ish-kryeministri Berisha.
Berisha akuzoi Bashën se, ka ndërmarrë në fushatë manipulimi mediatik, sipas të cilës thuhet se, projekti është firmosur që në vitin 2013 nga Sali Berisha.
“Lul Brava në mediat që paguan po kërkon të përgënjeshtrojë lajmin e botuar në mediat e vendit, për një kompleks gjigant e luksoz kullash, i cili e zhduk selinë e PD nga aty ku ndodhet, duke thënë se ai projekt është firmosur nga unë në 2013”,- shkruan Berisha në “Facebook”.
Berisha thotë më tej se, ajo që ka firmosur ai në atë kohë nuk ka lidhje me projektin e publikuar tani.
“Projekti që unë kam firmosur është ai i Xhamisë së Madhe, fillimi i punimeve të të cilës u inauguruan në atë kohë në prani të qindra besimtarëve dhe nuk prekte selinë dhe as oborrin e PD. Projekti që zbuluan mediat sot e zhduk selinë e PD, sepse do të ndërtohet aty ku është sot selia e PD, te SHQUP”,- deklaroi Berisha.
Por sakaq, në rrjetet sociale dhe mediat online ka nisur të qarkullojë me shpejtësi një projekt, sipas të cilit, pikërisht aty ku sot qëndron selia për të cilën më 8 janar u përlesh Basha me Berishën, do të ngrihen katër struktura luksoze.
Kush e ka projektuar komplaksin e kullave
Projekti shfaqet në faqen e internetit të studios indiane “MGS Architecture”. Kjo studio numëron (sipas punonjësve që e kanë të regjistruar si vend pune me profil në “Linkedin”), të paktën 37 persona.
Zyrat e studios ndodhen në New Delhi dhe sipas përshkrimit, “MGS” thotë se, ka një seri veprash arkitekturore futuristike në Indi, ndërsa ka bashkëpunuar edhe në hartimin e projektit për stadiumin e ri të kombëtares së Koresë së Jugut në futboll.
Sa i takon projektit që vendoset pikërisht aty ku sot është godina e Partisë Demokratike, ai quhet “4 Freedoms Park”.
“Pozicioni unik i projektit mes Parlamentit dhe dy vendeve të kultit (katolike dhe myslimane), garanton që 4Freedoms Park do të shërbejë si një kujtesë e gjallë për qytetarët dhe demokracinë dhe lirinë e praktikimit të besimit fetar, që u ndalua për thuajse 50 vite nga ish-regjimi stalinist”,- thuhet në përshkrimin e projektit.
Projekti parashikon një shesh si zgjatim i parkut dhe lulishtes së parlamentit, në hotel me pesë yje, që të paktën sipas emrit që mban imazhi i ngarkuar në këtë faqe do të ketë emrin “Atrium”. Po në faqen prezantuese të tij thuhet se kjo strukturë duhej të ishte zhvilluar nga viti 2018 deri në vitin 2021, ndërsa mbetet ende mister “porositësi”.
PD e Bashës e përgënjeshtron lajmin
Partia Demokratike e cilëson lajm të rremë dhe gënjeshtër të shpërndarë nga Sali Berisha, qarkullimin e projektit me kulla dhe hotel luksoz pikërisht aty ku sot ndodhet selia e kësaj partie.
“Për të hequr vëmendjen nga dhuna që Sali Berisha dhe banda e tij ushtruan me 8 janar, ai ka shpërndarë një gënjeshtër alla Sali gjate ditës së sotme. Kjo është vetëm një gënjeshtër e re, mashtrimi i radhës i Sali Berishës”,- thuhet në deklaratë.
PD thotë se, godina është pronë publike dhe se: “ajo është shtëpia e demokratëve, nuk është bunkeri i Sali Berishës, e aq më pak hapësira e pastrimit të parave të ortakeve të tij”.
Por ajo që mbetet mister, është fakti se kush e ka porositur projektin në fjalë “4Freedoms Park”, nga studioja indiane e arkitekturës.
/Priza.al/