‘Hotel Rogner’, aty ku jeta ‘sqarohet’ vetëm me një komunikatë…  

Është mbajtur si një prej hoteleve më të mirë dhe më luksoz në kryeqytet, i lakmuar sidomos nga personazhe VIP, të huaj dhe biznesmen. Madje tani që ish-hotel “Sheraton” është kthyer në një kantier ndërtimi, ndërsa hotel “Hilton” u mbyll që me nisjen e pandemisë, “Hotel Rogner”, mbeti thuajse pa konkurrentë.

Por ja që mbrëmjen e djeshme “Hotel Rogner-in” na e zuri “syri i keq” dhe ndodhi ajo që nuk pritej…

Një i ri 28-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe me banim në Zvicër, humbi jetën pasi ishte akomoduar në një prej dhomave të këtij hoteli për të qëndruar disa ditë në Tiranë.

Featured image of article: Ra nga ballkoni i hotelit, FOTO-ja e 28-vjeçarit që humbi jetën në Tiranë

(Foto: Ajdin Mustafi)

Viktima, ishte i riu Ajdin Mustafi, 28-vjeç, i cili po qëndronte si klient në hotel dhe në momentin që ai ka qenë i mbështetur në parmakun metalik të ballkonit të dhomës së tij, në katin e pestë, parmaku është shkëputur nga muri me të cilin duhej të ishte i lidhur, dhe ai ka rënë nga lartësia duke humbur jetën.

Ngjarja

I riu Ajdin Mustafi, kishte ardhur nga Zvicra për të kaluar disa ditë pushimi në Shqipëri. Madje, kishte zgjedhur dhe një prej hoteleve të shtrenjtë dhe më me emër të Tiranës, “Hotel Rogner-in”, në të cilin humbi edhe jetën në moshën më të bukur.

Nga sa është bërë e ditur deri tani nga informacione paraprake nga policia, dyshohet se shkak për rrëzimin e tij dhe humbjen e jetës kanë qenë parmaku metalik i amortizuar ose i palidhur mirë me murin e ballkonit të hotelit.

Shkëputja e parmakut menjëherë prej peshës së të riut që ishte mbështetur në të duke menduar se ishte i sigurt, si dhe rënia nga një lartësi e konsiderueshme, mund të kenë qenë shkaqet e vdekjes së menjëhershme të personit.

Policia e Tiranës pasi mbërriti në vendngjarje, nisi që mbrëmë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë, që mendohet të jetë aksidentale.

I riu është gjetur me plagë të shumta në trup nga stafi i hotelit, poshtë dhomës së tij, mbi një automjet që ishte parkuar në hapësirën e shesh-parkimit në krahun Jugperëndimor të hotelit. Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në spital, Ajdin Mustafi nuk mundi të mbijetojë nga plagët e marra.

Ai pësoi dëmtime serioze dhe pasi mbërriti në Spitalin e Traumës ndërroi jetë. I riu ndodhej i vetëm në dhomë kur ka ndodhur ngjarja. Policia e Tiranës e ka cilësuar ngjarjen aksidentale, megjithatë ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të saj.

Pretendimi i stafit të hotelit mbi aksidentin

Një ditë pas këtij aksidenti me pasojë humbjen e jetës së një personi 28-vjeçar, në ambientet e “Hotel Rogner”, gazetarët e “Priza.al” janë paraqitur për të marrë kontakte me stafin dhe për të pyetur mbi rrethanat e ngjarjes.

Që në hyrje të hotelit kishin ndryshuar masat e zakonshme të tij, ku përveç hostjeve që bëjnë shoqërimin e klientëve, ishin vendosur edhe staf sigurie privat, me sa duket për të mbajtur larg mediat apo kureshtarët.

Në ambientet e hotelit gjithsesi dukej se aktiviteti vijonte normalisht, dhe në hollin e katit të parë kishte mjaftë turistë të huaj që hynin e dilnin.

Stafi i “Priza.al” u paraqit pranë informacionit, për të pyetur dhe për të kontaktuar me një përfaqësues të hotelit, por menjëherë u shoqëruam nga punonjësit e sigurisë jashtë hotelit.

Në pritje të një përfaqësuesi apo drejtuesi të stafit, na u paraqit një zonjë me emrin Ana që ishte shefe e stafit dhe marketingut të hotelit.

Ajo nuk pranoi që të jepte asnjë informacion rreth ngjarjes së mbrëmshme, me pretendimin se, ngjarja ishte në zhvillim e sipër dhe nga policia dhe prokuroria, ishin porositur që të mos jepnin asnjë informacion me pretendimin se dëmtonin hetimet.

“Nuk jam e autorizuar momentalisht që t’ju jap një informacion mbi atë çfarë ka ndodhur. Di vetëm t’ju them se ka pasur një aksident me një prej klientëve të hotelit, në një nga dhomat e tij, dhe e rëndësishme për stafin e hotelit tani është jeta dhe shëndeti i familjarëve të viktimës të cilët janë tepër të tronditur. Në tani po preokupohemi më shumë për ata…”,- deklaroi për “Priza.al”, zj. Ana, përfaqësuesja e stafit të “Hotel Rogner”.

E pyetur për të na vënë në dispozicion një dokument të Akt-koaludimit të hotelit për të gjitha dhomat dhe ambientet e tij (që sipas ligjit duhet të bëhet çdo vit nga institucione shtetërore), Ana na u përgjigj se “e kishte kategorikisht të pamundur që të jepte çdo lloj informacioni, apo dokumenti pasi këtë ja ndalonte prokuroria për shkak të hetimeve që ishin në zhvillim e sipër”.

Por duke biseduar me gazetarët e “Priza.al”, ajo pohoi se, “aksidenti me pasojë vdekjen e të riut 28-vjeçar ndodhi në anën e re shtesë, të hotelit që ka vetëm pak kohë që është vënë në shfrytëzim. Aty gjithçka është e re. Ku klienti u rrëzua ishte stafi i hotelit ai që i dha ndihmën e parë dhe njoftuam urgjencën. Por…”.

Nga verifikimet që gazetarët e “Priza.al” bënë në zonë, është vërejtur se hoteli nuk ka vënë asnjë shenjë dalluese për rrezikun që përbënin kangjellat dhe as ka paralajmëruar klientët me njoftime të shkruara për mundësinë e shembjes se tyre.

Ana përfaqësuesja e “Rogner” shtoi se, “për këtë ngjarje do të dalim me një komunikatë për shtyp, me qëllim që të sqarojmë të gjithë opinionin për rastin e ndodhur. Por ju jeni të parët gazetarë që vini dhe kontaktoni zyrtarisht me ne, pasi mediat e tjera kanë raportuar pa ditur gjë dhe pa na pyetur se si ndodhi?!”

Por a do të mjaftonte vetëm një komunikatë sqaruese për të kthyer jetën e një 28-vjeçari pas, apo për ta eliminuar atë që ndodhi?

Nëse kanë qenë parmakët e ballkonit të amortizuar, të ndryshkur, apo të vendosur sa për fasadë dhe të palidhur si duhet me bulona me murin e betonit, e kujt duhet të jetë përgjegjësia? E stafit të hotelit që kur e mori në dorëzim shtesën e re duhet të bënte kolaudimet, apo e kompanisë që ka bërë ndërtimin dhe montimin e parmakëve?

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *