Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk është e favorshme për Kosovën, ndërsa e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “një mashtrues tipik”.
Hoti ka thënë se nuk e di ku i ka pasur mend Kurti apo ka qenë në ndonjë zor të madh kur është dakorduar që pa njohje reciproke të pranojë formimin e Asociacionit, të jep aranzhime të vetëqeverisjes të komunitetit serb dhe t’i jep status të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Sipas tij, dakordimi për arritjen e marrëveshjes me Serbinë në bazë të planit të BE-së më 27 shkurt në Bruksel, dëshmon se kryeministri Kurti është mashtrues tipik.
“Shqetësuese është fakti që është degraduar procesi që Kosova tash është detyruar të pranojë një marrëveshje që nuk është aspekt e favorshme. Është detyruar të pranojë një marrëveshje, ku kemi marrë rrugën shumë të gjatë të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe njohjes reciproke. Nuk shihet në perspektiv se kur do të përmbyllet çështja me Serbinë. Çështjet që i kemi të hapura me Serbinë mbyllen vetëm atëherë kur ndodh njohja reciproke. Dialogu ka qenë i strukturuar, dakoduar mes të palëve dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar për njohje reciproke në qeverinë e kaluar. Tash degradon dhe jemi tek një marrëveshje që është teknike, bile edhe në ato elemente teknike ka probleme fundamentale. Janë kritikuar qeveritë e kaluara kur kanë arritur marrëveshje teknike në procesin e dialogut, të cilat kanë qenë aranzhime të përkohshme në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve që se kanë njohur njëra-tjetrën. Pra aranzhimeve të përkohshme, ndërkohë tash ky hynë në aranzhime që të mbesin aty për vite të tëra. Këto gjëra nuk janë sot për nesër, por do t’i përcjellin popullin e Kosovës për vitet e ardhshme”, thotë ai.
Ish-kryeministri Hoti përmend disa nene të marrëveshjes që sipas tij janë të dëmshme për vendin. Në mesin e tyre, ai thotë se është katastrofë vetëm diskutimi për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Ndërkohë vë në mëdyshje edhe termet në nenin shtatë të marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në vend, që sipas tij shkojnë përtej marrëveshjes për Asociacionin të vitit 2013 dhe asaj të parimeve më 2015.
“Këta pa njohje reciproke dakordohen ta zbatojnë marrëveshjen e Asociacionit, e cila në mënyrën si është shkruar në marrëveshje është e sigurt se shkon përtej marrëveshjes së vitit 2013 dhe marrëveshjes së parimeve të vitit 2015. Dakordohen që t’i japin status të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Dakordohen që të diskutojnë aranzhmane vetëqeverisje të komunitetit serb në Kosovë. Unë nuk e di a i kanë pas mend me veti kur janë dakorduar për këto gjëra, apo çfarë zori kanë pasur që kanë pranuar këtë marrëveshje”, thekson Hoti.
Duke folur për Asociacion, Hoti thotë se dakordimi për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara dëshmon sa “mashtrues” është kryeministri Kurti. Ai përmend edhe raportimin e djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku mes tjerash iu referua edhe një letre që ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini i është drejtuar ish-kryeministrit Mustafa se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.