Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen për kërcënimet dhe sulmet e mundshme, pasi misioni i NATO-s në Kosovë, është “i gatshëm të bëjë gjënë e duhur”. Gjatë një prononcimi për gazetarë, Hovenier u pyet për raportimet se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar me pushtim të mundshëm Kosovën. Hovenier tha se garancitë e sigurisë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës vazhdojnë të jenë të forta, përderisa tha se Kosova përfiton në aspektin e sigurisë nga prania e misionit të KFOR-it që “është forcë krejtësisht penguese ndaj ndonjë lloj sulmi që qytetarët mund të jenë të shqetësuar”.
“Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që SHBA-ja ka ofruar qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha Hovenier.
Ambasadori amerikan u pyet edhe për aspiratat e Kosovës në NATO. Ai tha se Uashingtoni mbështet rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe tha se pret që Prishtina një ditë të jetë anëtare e aleancës. Ai po ashtu foli edhe për deklaratat e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili deklaroi se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.
“Dua të përgënjeshtroj ata që duan të bëjnë krahasime se kush qëndron ku [në raport me NATO-n]”, tha Hovenier, duke kujtuar se katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën dhe kjo sfidë, sipas tij, duhet të tejkalohet që të arrihet deri tek anëtarësimi.
“Kosova rreshtohen shumë mirë me NATO-s sa i përket vlerave, institucioneve. Pra, më shumë ka të bëjë me zgjidhjen e këtyre sfidave të tjera dhe të avancojë. Ne presim që Kosova një ditë të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s”, tha Hovenier.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët gjatë ditës ka hedhur poshtë krahasime të tilla, duke thënë se vetëm Rusia e Vladimir Putinit “është më larg NATO-s sesa Serbia”.
Deklarimi i Hovenierit për gazetarë u bë pas një takimi që ai zhvilloi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Diplomati amerikan tha se ky takim ishte rutinor, pasi një ditë më parë Kosova dhe Serbia zhvilluan një rund të ri bisedimesh. Sa i përket dinarit, që sipas Bashkimit Evropian palët janë pajtuar që javën e ardhshme të paraqesin mendimet e tyre se si të tejkalohen dallimet për të, Hovenier tha se nuk iu prezantua ndonjë propozim.
“Nuk më prezantoi ndonjë propozim specifik. Mendoj se Qeveria ende po punon në këtë drejtim. Unë desha të shprehja mendimet tona, siç kemi bërë vazhdimisht përderisa duam të jemi konstruktiv në këtë proces, por mendojmë se është shumë çështje e rëndësishme që duhet të adresohet”, tha Hovenier.
Bislimi: Kosova dhe Serbia do të propozojnë zgjidhje të çështjes së dinarit
Ai përsëriti qëndrimin amerikan se duhet të ndryshohet mënyra e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa. Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt. SHBA-ja dhe BE-ja kanë kundërshtuar rregulloren pasi thonë se ajo nuk merr për bazë ndikimet negative që ka te popullata serbe në Kosovë. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë./rel