Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se shteti i tij beson se për Kosovën është urgjente që të lëvizë përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Gjatë një interviste për transmetuesin publik të Kosovës, Hovenier tha se Kosova ka shumë miq që duan ta shohin shtetin pjesë të organizatës të Këshillit të Evropës dhe të shfaqë përkushtimin për të drejtat e pakicave dhe të drejtave të njeriut.
“Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë, është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën”, tha Hovenier.
Kosova dështoi të futej në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës të mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ditë para takimit në Strasburg, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Evropës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.