Portieri 36-vjeçar Lloris mori vendimin për t’i dhënë lamtumirën kombëtares franceze. Ai ka vendosur rekord sa i përket paraqitjeve me fanellën e “Les Bleus” me 145 të tilla dhe si kapiten me 122 ndeshje.
Lloris vendosi që t’i japë lamtumirën përfaqësueses, pas paraqitjes së “Gjelave” në botërorin Katar 2022, ku u mposhtën në finale nga Argjentina pas goditjes së penalltive.
“Vjen një moment kur duhet të dish të lësh frerët. Gjithmonë e kam thënë se kombëtarja franceze nuk i përket askujt dhe ne të gjithë duhet të sigurohemi që të jetë kështu, duke nsiur nga unë i pari” – u shpreh Lloris për gazetën franceze “L’equipe”.
Trajneri i “Les Bleus”, Didier Deschamps e quajti atë një shërbëtor të kombëtares ndërsa vlerësoi karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Lloris ka qenë pjesë e Francës për 14 vite. Ai e mori shiritin e kapitenit në Shkurt të 2012 dhe ngriti Kupën e Botës në Rusi në 2018 pas fitores 4-2 të Francës kundër Kroacisë. Tani ai do të përqendrohet te skuadra e tij Totenhemi, në të cilën u bë pjesë në verën e 2012.