Tre lojtarë me prejardhje afrikane, që humbën penalltitë për Anglinë në ndeshjen e vendimtare të Kampionatit Evropian të Futbollit kundër Italisë të dielën në mbrëmje, iu nënshtruan abuzimit racist në internet, duke bërë që Federata Angleze e Futbollit (FA) të lëshojë një deklaratë që dënon gjuhën e përdorur kundër lojtarëve.
Bukayo Saka, 19 vjeç, një nga lojtarët më të rinj në skuadrën angleze, humbi penalltinë që i dha titullin Italisë dhe i mohoi Anglisë trofeun e saj të parë ndërkombëtar, që nga Kupa e Botës e vitit 1966.
Ishte dështimi i tretë nga penalltitë për Anglinë përfshirë edhe dështimet e lojtarëve, Marcus Rashford dhe Jadon Sancho.
Federata e Futbollit tha në deklaratë se ishte tmerruar nga abuzimet ndaj tre lojtarëve.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbështetur lojtarët e prekur ndërsa bëjmë thirrje për ndëshkimin e ashpër të kujtdo që është përgjegjës”, thuhet në deklaratën e FA-së.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i dhënë fund diskriminimit në lojë, por i lutemi qeverisë të veprojë shpejt dhe të miratojë ligjet e duhura në mënyrë që abuzimet të përballen me pasoja”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson në rrjetet sociale dënoi abuzimet raciste.
“Pjesëtarët e kësaj skuadre të Anglisë meritojnë të priten si heronj, jo të abuzohen …” shkroi Johnson .
Ekipi i Anglisë u shpreh “i neveritur që disa nga skuadra jonë – që kanë dhënë gjithçka për fanellën këtë verë – i janë nënshtruar abuzimit diskriminues në internet pas ndeshjes së sotme”.
Policia Metropolitane e Londrës tha se po hetonte mesazhet “ofenduese dhe raciste” në rrjetet sociale.
/Priza.al/