Ishte surpriza e mbrëmjes pas votimeve për Parlamentin Europian: Pas fitores së qartë të partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Rassemblement National (RN), presidenti Macron shpërbëu Asamblenë Kombëtare dhe shpalli zgjedhje të parakohshme për 30 qershorin. RN fitoi në zgjedhjet europiane më shumë se 31 % të votave, kurse kampi qeveritar i Macron (Rilindja) më pak se 15%. Krahasuar me zgjedhjet europiane 2019, partia e Le Pen i shtoi me rreth 10% votat.
Nga e enjtja votuesit europianë në 27 vende të BE dhanë votën e tyre. Partitë populiste të djathta shënuan në shumë vende rritje të ndjeshme të elektoratit. Në Itali fitoi kryeministrja Meloni, me partinë Fratteli d’Italia më shumë se 29%.
Edhe në Austri partia populiste e Lirë, FPÖ doli fituese me 26%. Kurse në Gjermani, partia Alternativa për Gjermaninë, AfD me 15,9% doli forca e dytë politike pas partive të Unionit CDU/CSU me 30%. Në vend të klimës, fushatën për zgjedhjet europiane e përcaktoi migracioni, politika ekonomike dhe siguria.