Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ Igli Cara ka pranuar humbjen në qytetin e Durrësit, por ka pasur një sërë pakënaqësish mbi procesin, ku nuk i ka kursyer akuzat për kundërshtarët. Në reagimin e tij të parë pasi u konfirmua se Emiriana Sako ka marrë besimin edhe për një mandat tjetër, Cara thotë se ky rezultat është ndikuar nga një sërë faktorësh të jashtëm, që shkojnë përtej vullnetit të qytetarëve.
“Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje! Falënderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e procesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.
Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis.
Faleminderit me zemër” – tha Cara.